43-vjeçari që u godit paraditen e sotme me mjet prerës në Sarandë, ka ndërruar jetë. Lajmin e bën të ditur policia ndërsa njofton se personi që e goditi, është arrestuar.
Njoftimi i policisë:
Sarandë/Informacion shtesë
Goditi me mjet prerës 43-vjeçarin, i cili ndërroi jetë si pasojë e dëmtimeve të marra, vihet në pranga autori i dyshuar.
Në vijim të informacionit paraprak, përmes të cilit njoftuam se, në shëtitoren e Sarandës, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi J. G. goditi me mjet prerës, në kurriz, shtetasin K. K., 43 vjeç, sqarojmë se, si pasojë e plagëve të marra shtetasi K. K. ka ndërruar jetë.
Brenda një kohe të shkurtër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit J. G.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës (thika), me të cilën dyshohet se shtetasi J. G. ka goditur shtetasin K. K.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./albeu.com