U futën në shtëpi si policë! Grabitje me armë zjarri në Shkodër, vidhen mbi 16 mijë Euro

Një grabitje me armë  ka ndodhur në Shkodër ku dy persona kanë arritur të vjedhin mbi 16 mijë euro.

Grabitja ka ndodhur në banesën e shtetasit Ndue Ulaj, 36 vjeç, mesnatës së kaluar, rreth orës 00:10, në fshatin Boriç i Vogël në Malësinë e Madhe të Shkodrës.

Fillimisht grabitësit janë i kanë drejtuar armën djalit 12-vjeçar që ndodhej në kuzhinë bashkë me të motrën, 9 vjeçe.

Më pas ata kanë shkuar në dhomën e gjumit ku ishte Ndue Ulaj, pronari i shtëpisë bashkë me të ëmën 80-vjeçare, të cilëve u kanë thënë se janë policë dhe do të bënin një kontroll.

Ka qenë Ulaj ai që ka telefonuar policinë dhe ka treguar para tyre se ai mendoi fillimisht se ishin policë, por më pas dy personat e armatosur kanë rezultuar grabitës dhe i kanë kërkuar florinjë e paratë.

Sipas Ulajt, efektivët kanë ardhur me vonesë, një orë nga momenti i njoftimit. Ndue Ulaj ka treguar para grupit hetimor se paratë i ka tërhequr nga një bankë në Shkodër nga kursimet disa vjeçare që kishte grumbulluar nga puna si taksist, pasi donte të ndërtonte katin e dytë të banesës.

36-vjeçari kërkon zbardhjen e ngjarjes dhe shton se familja e tij janë në traumë psiqike dhe nuk e kanë kaluar ende tmerrin që kanë përjetuar kur kanë parë armët.

Ulaj tregon se grabitësit kanë qenë vetëm me kapele të pamaskuar dhe se pasi kanë marrë paratë janë larguar nga një rrugë tjetër dytësore e fshatit dhe kanë qenë në këmbë. Ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për këtë ngjarje. /albeu.com/

 

 

 


Shtuar 24.09.2021 12:46