U ftuan në festë, por ishte gënjeshtër për 1 Prill: Të rinjtë në Bruksel përplasen me policinë (FOTO LAJM)

Një festë e nisur si një lojë për 1 prillin  përfundoi në përplasje mes policisë dhe qytetarëve në Bruksel.

Me mijëra të rinj u paraqitën në festën e rremë për të cilën ishte njoftuar në rrjetin social Facebook ku premtohej se me qindra DJ me famë botërore do të ishin të  pranishëm dhe ku nuk do të kishte asnjë rregull të COVID-19.

Por në vend të festës qytetarët u përballën me policinë e cila ishte aty për të parë nëse po zbatoheshin rregullat anti-COVID.

Në nisje të festivalit, autoritetet publikuan një sere deklaratash duke e bërë të qartë se festivali ishte në fakt një shaka e Prillit, duke përfshirë policinë që publikoi një postim në Twitter.

Pavarësisht kësaj, mijëra njerëz u paraqitën për të festuar në Parkun “Bois de la Cambre”.

Festa e rreme përfundoi me përplasje ku autoritetet përdorën ujë dhe gazlotsjellës për të shpërndarë turmën e mbledhur.

Një festë e rremë, por që dëshmoi se qytetarët në Bruksel janë të lodhur nga masat kufizuese dhe janë të gatshëm të thyejnë rregullat për të gjetur pak argëtim.

Belgjika së fundmi ka hyrë në një bllokim të tretë, duke lejuar vetëm katër persona që mund të mblidhen.

Ndërkohë, organizatorët e “La Boum” thanë se ata kishin zhvendosur festën në 2022, duke thënë: “Boum është zhvendosur. Edhe një herë, ne jua hodhëm”.


Shtuar 2.04.2021 15:51