U ekstradua nga Spanja, Gjykata e Posaçme lë në burg Ismail Zenelin

Gjykata e Posaçme, ka mbyllur në burg Ismail Zenelin (Dajloku), personin që pak ditë më parë u ekstradua nga Spanja për llogari të një dosje penale të hapur nga Prokuroria e Posaçme SPAK, lidhur me sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen e dy vëllezërve Nela në Kukës.

Zeneli, alias Luan Sadria, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg, për veprat “Sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikim i lëndëve narkotike” e kryer në formën e veçante të bashkëpunim, atë të “Grupit të Strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga Organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”.

Ismail Zeneli është njeriu që kerkonte te vriste së bashku me Bujar Gërmizin, Dedan Gjonin dhe Nuredin Dumanin dy vllezerit Nela.

Albert e Edmond Nela, të cilët jetojmë në Britaninë e Madhe.

Dy vëllezër Nela dyshohen se në vitin 2013 ne Britanine e Madhe kishin vrarë Guximtar Sadrinë vëllain e Luan Sadrisë, i cili atje kishte emrin Xhem Krasniqi.

Në shenjë hakmarrje ai kërkon eliminimin e tyre dhe këtë e merr përsipër Bujar Gërmizi, i arrestuar nga policia me urdhër të SPAK që goditi një grup kriminal pas zbërthimit të aplikacionit “Sky”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuar Dedan Gjoni, oficer policie dhe Erzen Breçani, ish-zyrtar i policisë, si dhe u shpall në kërkim Ervin Mata, djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani si dhe u shpallën në kërkim disa persona të tjerë.

Sipas dosjes hetimore, Dedan Gjoni kryen veprime aktive duke ndjekur motrën dhe nënën e dy vëllezërve, tenton t’ju vërë GPS në makinë, ndërsa nxjerr nga sistemi TIMS të dhënat për Albert dhe Edmond Nelën.

Vrasja nuk realizohet, pasi nuk arrijnë t’i gjejnë vendndodhjen e dy vëllezërve.

Ndërkohë, Ismail Zeneli, rezulton person kyç në trafikun e drogës nga Brazili dhe Ekuadori në drejtim të vendeve të BE-së dhe bashkëpunon ngushtë me Eralbi Breçanin.