U dorëzuan në polici dhe i liroi gjykata e Durrësit/ Apeli prish vendimin, kthen 2 vëllezërit Farruku në burg

Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur në fund të muajit Mars të rrëzojë vendimet e Gjykatës së Durrësit, që linte në masën e “arrestit në shtëpi” dy vëllezërit Farruku, të cilët në Janar 2025 u dorëzuan vullnetarisht në policinë e Durrësit.

“Ora News” ka mësuar se në datën 24 dhe 27 Mars 2025, në Gjykatën e Apelit Tiranë, është zhvilluar seanca për shqyrtimin e masës së sigurisë për dy vëllezërit nga Durrësi, të cilët drejtojnë klanin kriminal “Farruku”.

Të dy vëllezërit Kreshnik dhe Erneo Farruku, ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Pas disa vite qëndrim në kërkim, në muajin Janar 2025 ata u vetëdorëzuan në polici dhe pas tre ditësh gjykata e Durrësit, urdhëroi lirimin e tyre dhe qëndrimin e tyre në masën e “Arrestit në shtëpi” deri në pritjen e ardhjes së dosjes nga Italia.

Ky vendim i gjykatës është ankimuar nga prokurori i Durrësit dhe pas shqyrtimit të rastit, Gjykata e Apelit Tiranë, vendosi të ndryshojë masën e “arrestit në shtëpi”, duke kthyer dy vëllezërit në masën e “arrestit në burg”.

Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, është ekzekutuar pak ditë më parë nga policia, ku dy vëllezërit Farruku tashmë do vijojnë të qëndrojnë në burg jo vetëm për shkak të një urdhër-arresti të lëshuar ndaj tyre nga SPAK por edhe për shkak të një vendimi të ri të marë nga Gjykata e Apelit Tiranë.


Shtuar 11.04.2025 15:50