Mediet kanë siguruar foton e 22-vjeçares nga Kenia, Joy Ayoko, dy orë para vdekjes tragjike.
E reja fatkeqe ndërroi jetë pak javë më par, pas disa muajsh në spital.
Ajo u dhunua barbarisht nga disa persona të panjohur, të cilët më pas e hodhën nga ballkoni.
Ndërkohë sot u arrestua shoferi i kazinosë, ku e reja punonte në Tiranë, pasi dyshohet të ketë gisht në vdekjen misterioze të kenianes.
Mësohet se Rodi Barçi, i afërm i një personi pranë partisë në pushtet, është marrë në pyetje nga policia gjatë ditës së sotme.
Gjatë dëshmisë së tij Barçi ka deklaruar se ka qenë i lidhur me 22-vjeçaren nga Kenia, por në momentin kur ka ndodhur ngjarja, pra gushtin e vitit 2022, ata kanë qenë të ndarë dhe nuk kanë pasur lidhje me njëri-tjetrin dhe se s’ka pasur dijeni.
Nëna e së resë nga Kenia, Ruth Abongo, tha në një intervistë për mediat se 4 ditë para ngjarjes së rëndë ajo kishte udhëtuar me 32-vjeçarin Rodi Barçi, në Durrës. Sipas nënës së vajzës, shoferi i kishte qëndruar shumë pranë, sjellje e cila s’i kishte pëlqyer të resë.
Nga ana tjetër Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi prokurorisë së Kenias dhe i ka kërkuar që t’i vërë në dispozicion autopsinë që i është bërë 22-vjeçares në morgun e spitalit ku ajo ndërroi jetë.
Kjo kërkesë vjen në kuadër të hetimeve të prokurorisë së Tiranës për vdekjen e Joy Ayoko. 22-vjeçarja u largua nga Shqipëria më 25 janar të këtij viti, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia. Joy u largua nga spitali i Traumës në “half coma”, pra gjysmë koma, e pavetëdijshme dhe ndërroi jetë në Kenia.
Mësohet se deri më tani janë marrë në pyetje edhe punonjës të kazinosë në fjalë si edhe shoqja e Joy-it, Emily, për të cilën e ëma hedh po ashtu dyshime se ka dijeni për dhunimin e së bijës. /albeu.com