Ish-deputeti i PS Alqi Bllako i akuzuar për korrupsion pasiv për çështjen e inceneratorit të Tiranës, pritet të lërë qelinë.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se trupa gjykuese e kryesuar nga Rudina Palloj, vendosi ta shpallë Bllakon fajtor për korrupsion pasiv për përfitim të 119 mijë eurosh, dhe përfitim për 7 milion lekë, duke e dënuar me 4 vite burg.
Pas reduktimit të dënimit, ai do të vuajë një dënim prej 2 vite e 8 muaj burg. Përveç kësaj, Ballkos i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Por, GJKKO ka vendosur lirimin e Bllakos pasi është vendosur shuarja e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe është urdhëruar lirimi i tij nëse nuk ka masë tjetër.
Kjo, pasi masa e paraburgimit është më e madhe se masa e dënimit për Bllakon.
Sipas hetimeve të SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë rreth 120 mijë euro nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare të inceneratorit, për blerjen e një pajisjeje të përdorur në aktivitetin tregtar të babait të tij, një fabrikë birre në Ersekë.
Në dosje thuhet gjithashtu se Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vijonte si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe të ofronte konsulencë juridike gjatë periudhës kur po përgatitej procedura e dhënies së koncesionit.
Për këtë shërbim, Bllako akuzohet se i ka kërkuar Klodian Zotos që ta punësonte fiktivisht Bezhanin, duke i siguruar një pagë prej 7.5 milionë lekësh të reja.
Sipas SPAK, gjatë kohës që Bezhani ishte këshilltar i ministrit Koka, ai ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton sipas udhëzimeve të Alqi Bllakos, duke i transmetuar informacione të marra nga Autoriteti Kontraktor.

