Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruan të hënën një marrëveshje me vlerë rreth 9 miliardë euro, për 20 aeroplanë luftarakë Eurofighter Typhoon.
Marrëveshja për të rritur aftësitë ajrore të Turqisë u nënshkrua në Ankara gjatë vizitës së parë të kryeministrit britanik Keir Starmer në vend, dhe shënon porosinë e parë të re të aeroplanëve luftarakë britanikë Typhoon që nga viti 2017.
“Vendet tona mund të jenë në të dyja anët e Evropës, por ne jemi partnerë të fortë, duke punuar më ngushtë së bashku tani se kurrë më parë”, tha Starmer gjatë një ceremonie nënshkrimi së bashku me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
“Kjo do të forcojë sigurinë në të gjithë NATO-n, do të thellojë bashkëpunimin tonë dypalësh në mbrojtje dhe do të nxisë rritjen ekonomike këtu dhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke siguruar 20,000 vende pune britanike”, shtoi Starmer.
“Jam krenar që tajfunët britanikë do të formojnë një pjesë jetësore të Forcave Ajrore Turke për shumë vite që do të vijnë”, shtoi ai.
Erdogan e përshëndeti marrëveshjen si një “simbol të ri të marrëdhënies strategjike midis nesh si dy aleatë të ngushtë”.
Starmer shtoi se marrëveshja ofron mundësinë për shitjen e më shumë aeroplanëve luftarakë në të ardhmen.
Ankaraja dhe Londra nënshkruan një marrëveshje paraprake për Eurofighters në korrik, të cilët prodhohen nga një konsorcium që përfshin Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën dhe të udhëhequr nga BAE Systems e Britanisë.
Marrëveshja pasoi vendimin e raportuar të Gjermanisë për të hequr dorë nga kundërshtimi i saj i gjatë ndaj shitjes së aeroplanëve në Turqi.
Javën e kaluar, Erdogan vizitoi tre vende të Gjirit dhe zhvilloi bisedime mbi blerjen e mundshme të Typhoon-ëve të përdorur nga Katari dhe Omani.
Përveç 20 aeroplanëve të rinj Typhoon, Turqia planifikon të blejë 12 aeroplanë të dorës së dytë nga Katari dhe 12 të tjerë nga Omani, tha kanali i lajmeve A Haber i Turqisë duke cituar Ministrin e Mbrojtjes, Yaşar Güler
 
			    
			    
			    
			    
			    
			    
			    
			    
						 
						