Turistja pësoi dëmtime në kokë në plazhin e Filikurit, policia shpëton spanjollen

Policia e Himarës dhe pushues të rastësishëm i vijnë në ndihmë një turisteje spanjolle që kishte kërkuar ndihmë, pasi ishte rrëzuar dhe kishte pësuar dëmtime në kokë, në zonën e plazhit të Filikurit.

Sot, rreth orës 16:00, Salla Operative njoftoi patrullën e rendit të Komisariatit të Policisë Himarë se një shtetase e huaj kishte pësuar një incident në zonën e plazhit të Filikurit.

Menjëherë, shërbimet e policisë u nisën drejt vendit të raportuar dhe konstatuan se shtetasja spanjolle ishte rrëzuar dhe kishte pësuar dëmtime në kokë.

Punonjësit e Policisë, së bashku me disa pushues të pranishëm në zonë, bënë të mundur nxjerrjen e saj prej vendit ku ishte bllokuar dhe më pas shoqërimin e saj me ambulancë në Qendrën Shëndetësore Himarë, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.


Shtuar 9.06.2025 18:42