Trupat e para amerikane arrijnë në Poloni

Trupat e para amerikane, për përforcimin e aleatëve të NATO-s në Evropën Lindore, arritën më 5 shkurt në një bazë ushtarake në juglindje të Polonisë. Këto trupa u dërguan në kohën kur grumbullimi ushtarak rus përgjatë kufirit me Ukrainën po vazhdon.

“Siç kemi njoftuar, elementet e para të grupit luftarak të brigadës nga Divizioni i 82-të i forcave ajrore të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara kanë arritur në Poloni”, tha një zëdhënës ushtarak i Polonisë.

Javën e kaluar, Uashingtoni tha se do të dërgonte afro 3,000 trupa shtesë në Poloni dhe Rumani për të mbrojtur Evropën Lindore nga pasojat e mundshme nga kriza në Ukrainë.

Më 3 shkurt, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se dislokimet do të përfshijë afro 2,000 trupa që SHBA-ja do të dërgojë në Poloni dhe Gjermani. Përveç këtyre trupave, afro 1,000 trupa të tjerë, që aktualisht gjenden në Gjermani, do të dërgohen në Rumani.

Rusia ka dislokuar më shumë se 100,000 trupa dhe makina të rënda ushtarake në afërsi të Ukrainës dhe në Krime. SHBA-ja thotë se Moska mund të jetë duke u përgatitur për një pushtim të Ukrainës.

SHBA-ja dhe aleatët evropianë kanë paralajmëruar Rusinë se do të përballet me sanksione të ashpra ekonomike, nëse pushton Ukrainën. Po ashtu, SHBA-ja dhe shtetet evropiane kanë thënë se do të dërgojnë më shumë armë për Ukrainën në rast të një pushtimi rus./rel


Shtuar 5.02.2022 15:41