I rrethuar me flamuj të shumtë amerikanë, ish-Presidenti Trump mbajti një fjalim të stilit të fushatës para mbështetësve të shumtë në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, mbrëmjen e së martës.
Zoti Trump mbajti një qëndrim sfidues, duke cituar mes të tjerash, dy gjyqet e dështura në Kongres për shkarkimin e tij kur ishte president. Ai e quajti aktakuzën e ngritur ndaj tij në Nju Jork, si të fundit në “sulmet me hetime mashtruese”. “Ky rast i rremë (aktpadia) u ngrit vetëm për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2024 dhe duhet të mbyllet menjëherë”, tha zoti Trump.
“Nuk kam menduar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhte në Amerikë”, tha zoti Trump. “Krimi i vetëm që kam kryer ka qenë mbrojtja pa frikë e vendit tonë ndaj atyre që kërkojnë ta shkatërrojnë atë.”
Shumica e republikanëve që po kandidojnë për Shtëpinë e Bardhë ose që kanë në plan të shpallin kandidaturën kanë shprehur mbështetjen për zotin Trump. Përmes deklaratave ata janë shprehur se hetimet ndaj zotit Trump janë të motivuara politikisht.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, tha se ngritja e aktakuzës tregon se, “sistemi ynë i shenjtë i drejtësi u përdor politikisht” kundër zotit Trump.
Përmes një shkrimi në rrjetitn Twitter, guvernatori DeSantis thotë se ngritja e aktakuzës ishte joamerikane.