Trump fillon qasjen mediatike revolucionare në Shtëpinë e Bardhë

Administrata Trump po ripërpunon aksesin në media në Shtëpinë e Bardhë duke u hapur derën edhe influencuesve, blogerëve dhe podcaster-ëve, si pjesë e një strategjie të re për të përfshirë zërat më pak tradicionalë të medias në dhomën e informimit.

Në konferencën e saj të parë për shtyp, sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt tha se dhoma e informimit do të hapet për “zërat e rinj të medias”, duke përfshirë influencuesit e mediave sociale, krijuesit e përmbajtjeve, blogerët, podcaster-ët dhe reporterët e pavarur.

Ajo shpjegoi se ata që prodhojnë “përmbajtje të lidhur me lajmet” mund të aplikojnë për kredenciale për të mbuluar Shtëpinë e Bardhë.

Leavitt shpjegoi se mediet tradicionale, të cilave ajo iu referua si “medie të trashëguara”, nuk kanë më ndikimin që kishin dikur, me shumë amerikanë që tani i drejtohen “medieve të reja” për konsumin e tyre të lajmeve.

Leavitt foli për një “qasje mediatike revolucionare” nga Shtëpia e Bardhë e Trump.

Si president, Trump është shumë më i aksesueshëm për gazetarët sesa pasardhësi dhe paraardhësi i tij, Joe Biden.

Ai mban konferenca të shpeshta e të gjata për shtyp, u përgjigjet pyetjeve në çdo rast dhe qartësisht shijon vëmendjen e medieve.

Kështu ndodhi edhe gjatë mandatit të tij të parë në detyrë nga viti 2017 deri në vitin 2021.

Gjatë fushatave të tij elektorale, Trump kufizoi ndjeshëm aksesin e shtypit në ngjarjet e tij, duke anashkaluar mediet kryesore dhe duke zgjedhur intervista me blogerë dhe podcaster-ë, të lidhur politikisht për të arritur audiencën e tij.

Në ngjarje publike, Trump shpesh ka sulmuar gazetarët, duke i quajtur ata “armik të popullit” dhe duke i akuzuar për përhapjen e dezinformatave.

Ai ka kërkuar gjithashtu heqjen e licencave të transmetimit për mediet që ai nuk i pëlqen.


Shtuar 29.01.2025 12:12

Tags: ,