Një i ri ka mbetur i vrarë mbrëmjen e sotme pas të shtënave me armë zjarri në Vlorë.
Raportohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Hajro Cakërri”, ndërsa 22-vjeçari Gëzim Sinomati është qëlluar në banesën e tij.
Sakaq, në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë, të cilat po punojnë për kapjen e autorit të vrasjes i cili dyshohet se është larguar në këmbë.
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 22:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar dyshohet me armë zjarri shtetasi G. S., 22 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit, si dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative, me qëllim kapjen e autorit/ve.
Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve.
Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Delta Forcë.
/albeu.com