Tronditet Vlora dhe Lushnja gjatë natës, dy vrasje dhe një plagosje me armë zjarri

Mbrëmjen e djeshme gjatë orëve të natës kanë ndodhur dy vrasje me armë zjarri.

Në Vlorë është vrarë Shkëlzen Velaj rreth 35 vjeç, i cili ndëroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra.

“Vlorë/Informacion paraprak.

Rreth orës 23:55, në  lagjen “24 Maji”, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi Sh. V., rreth 35 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Vlorë si pasojë  e plagëve të marra.

Gjatë krehjes së zonës, në afërsi të fshatit Risili, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur , i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve  të ngjarjes.

Vijon krehja e zonës nga shërbimet e DVP Vlorë, për kapjen e autorit/ve.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për identifikimin e autorëve dhe  sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë edhe në Lushnje është vrarë 62-vjeçari Rako Qorri dhe është plagosur i biri, Kejdi Qorri, pas një konflikti në lokal.

“Lushnjë

Kapet nga Policia disa minuta pas kryerjes së krimit autori i vrasjes së 62-vjeçarit dhe plagosjes së djalit të tij në fshatin Fier i Ri, Lushnjë.

Në datë 02.06.2021, rreth orës 23:47, në fshatin Fier i Ri, Lushnjë, shtetasi S.Sh, si pasojë e një konflikti të çastit në lokalin në pronësi të shtetasit R. Q., ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. Q., 62 vjeç dhe ka plagosur djalin e tij, shtetasin K. Q., 31 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë  kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë dhe punës së mirëorganizuar, bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin S. Sh., 57 vjeç, banues në fshatin Krutje e Sipërme.

Gjithashtu Policia ka  sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes” thuhet në njoftimin e policisë./albeu.com


Shtuar 3.06.2021 07:07