Gazetarja Klodiana Lala ka shpjeguar detaje nga vrasja e vajzës keniane, Xhoi Aoko, e cila punonte në një nga kazinotë e Tiranës.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Lala tha se autoritetet kanë bërë të gjithë përpjekjet për fshehjen dhe manipulimin e vrasjes së Xhoit, ndërsa shtoi se zyrtarët që duhet të kryenin veprimet hetimore janë të parët që duhet të përballen me ligjin.
“Lajmin e kam mësuar për herë të parë nga një gazetare britanike, Alice Taylor. Kur kam lexuar shkrimin e saj jam përpjekur të gjej dokumentat, për të kuptuar si është e mundur që dhunimi i një vajze që punonte në një kazino, nuk ishte raportuar nga policia. Jam shokuar. Oficerët e policisë gjyqësore dhe strukturat që ishin marrë me hetimin, kishin patur qëllim të mbulonin të vërtetën.
Kur shoqja e Xhoi Aoko ka bërë denoncimin për humbjen e kontakteve me të, ka shkuar aty dhe personi që pëkthente ishte ish shoferi i kazinosë që kishte patur lidhje intime me vajzën që u gjet e dhunuar. Pyetja e oficerit të policisë gjyqësore ishte, a ka patur raste kur Xhoi Aoko është larguar herë të tjera nga dhoma? Përgjigja ishte, nuk jam kërcënuar asnjëherë tjetër. Pyetja dhe përgjigja nuk kishin lidhje logjike.
Gjëja e dytë që më bëri përshtypje, ishte fakti që nuk ishin pyetur pronarët apo administratorët e kazinosë, nuk ishte pyetur administratori i kompanisë që e kishte rekrutuar vajzën, e kishte sjellë nga Kenia në Shqipëri. Nuk ishte marrë asnjë provë materiale.
Vajza është gjetur në një pozicion, që vetëm ata njerëz që kanë informacion mund të dinë se si mund të futet në atë rrugicë qorre pa dalje. Si është e mundur që brenda atij Hostel ka patur shumë persona të huaj dhe nuk kanë dëgjuar asnjë të bërtitur? Pra ata njerëz ose janë manipuluar, ose policia nuk ka marrë asnjë veprim.
Mjeku që ka marrë vajzën e dhunuar, që kishte legenin e thyer, shkoi deri aty sa thoshte, kemi arritur që barrelën me trupin ta ngremë mbi një derë hekuri, sepse nuk hapnin dot një zgavër hekuri, duke i shkaktuar dëmtime. Nuk është bërë testi nëse ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Nuk është bërë testi i dy shisheve. Mjekët nuk kanë pranuar të bëjnë ekspertizën nëse është përdhunuar ose jo.
Shoferi që bënte transportin, nga dëshmia e parë te e fundit, është kontradiktor, një herë thotë nuk e njihja vajzën, pastaj vajza kur e ka kthyer në shtëpi, kanë qenë tre persona në furgon, është e pamundur të mos e fiksojë.
Të gjithë këto mosveprime, neglizhenca, më çojnë në përfundimin që kanë tentuar të fshehin të vërtetën sepse dikush i fuqishëm është i përfshirë.
Është çështje e biznesit të kazinosë? Ata mund të rrezikonin humbjen e liçensës, dëmtimin e imazhit. Atë natë në kazino ka qenë një biznesmen shumë i fuqishëm i Kosovës që ka luajtur aty dhe që vajza kishte një njohje me të. Këtu ka aq shumë të pathëna dhe gjithë struktura shtetërorë kanë qenë të painteresuar që kjo ngjarje të zbardhet.
Përpara se të shkojë në burg autori i ngjarjes, duhet të shkojnë oficerët e policisë gjyqësore dhe zyrtarët që e kanë devijuar këtë histori, pastaj çdo gjë tjetër mund të marrë rrjedhën normale”, deklaroi Lala. /tpz