Tritoli me dron në Tiranë/ Apartamenti frekuentohej nga Bernard Sinomati, vëllai i “Buzëdërrit”

Janë zbardhur detaje të reja nga shpërthimi me tritol i regjistruar mbrëmjen e djeshme në Tiranë, në një apartament në katin e 9-të të një pallati. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:45 minuta në rrugën “Sadik Petrela”.

Kanë qenë banorët e pallatit, të cilët të alarmuar nga shpërthimi i fortë, kanë njoftuar Policinë, ku këta të fundit, pasi kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë hapur me forcë derën dhe kanë konstatuar xhamin dhe vetratat e ballkonit të dëmtuara.

Për shkak të lartësisë (kati i 9-të), dyshohet se tritoli mund të jetë hedhur me dron në ballkonin e apartamentit.

Burime bëjnë me dije se aprtamenti është në pronësi të shtetasit Albert Thoma, i cili ia kishte lëshuar me qira shtetases Elena Arza.

Mësohet se kjo e fundit është e afërme e Bernard Sinomatit, një personazheve të njohur të krimit në Vlorë dhe burime bëjnë me dije se grupi hetimor ka mësuar se apartamenti frekuentohej pikërisht nga ky i fundit.

Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë nga qiramarrësja dhe as nga Benard Sinomi, i cili nuk përjashtohet pista që të ketë qenë në banesë në momentin e shpërthimit dhe të jetë larguar më pas.

Bernard Sinomati është vëllai i Sokol Sinomatit, ish-anëtarit të bandës së “Gaxhait”, i njohur ndryshe me nofkën “Buzëderri”.


Shtuar 22.12.2024 18:55