Marrëveshjet e financimit për rehabilitimin dhe elektrifikimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë janë publikuar në Fletoren Zyrtare, duke shënuar një hap përpara drejt nisjes së punimeve.
Ato përfshijnë 2 kredi nga 30 mln euro nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa pjesa tjetër prej 60.5 mln euro financohet përmes një granti nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.
Projekti synon rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Durrësi në Rrogozhinë. Linja do të elektrifikohet dhe do të përafrohet me standardet e Bashkimit Evropian, duke mundësuar udhëtime me tren me shpejtësi deri në 120 km/h.
Segmenti është pjesë e Korridorit VIII, një bosht strategjik pan-evropian që lidh Italinë me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, duke shërbyer si nyje për transportin e udhëtarëve, mallrave dhe potencialisht për qëllime të mobilitetit ushtarak.
Përtej përfitimeve ekonomike dhe strategjike, projekti pritet të ketë ndikim pozitiv në mjedis përmes zhvendosjes së trafikut nga rrugët në hekurudha, duke reduktuar ndjeshëm ndotjen dhe emetimet e karbonit, raporton Scan Tv.
Ndërkaq, gjatë diskutimeve të marrëveshjes së grantit në komisionet parlamentare u bë me dije se rehabilitimi dhe elektrifikimi i këtij seksioni pritet të përfundojë në vitin 2028.
