Trajko Sllaveski nga VMRO-ja zgjidhet kryetar i Këshillit të Qytetit të Shkupit

Sot u bë konstituimi i Këshillit të  Qytetit të Shkupit në përbërje të të cilit janë gjithsej 45 anëtarë. Pas verifikimit të mandateve të këshilltarëve u bë edhe zgjedhja e kryetarit. Trajko Sllavevski nga VMRO-DPMNE-ja, që ishte i vetmi emër i propozuar, mori 26 vota. Për të, përveç këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, kanë votuar edhe E majta, Aleanca Për Shqiptarët dhe Alternativa dhe dy këshilltarët e koalicionit të Ripërtëritjes Demokratike. Sllavevski tha se në Këshill ka pak vend për politike dhe ideologji, duke kërkuar nga këshilltarët që çështjet politike të ia lënë pushtetit qendror për t’i diskutuar dhe zgjidhur.

“Këshilli do të jetë ajo që unë dëshiroj të jetë. Së pari mbështetje për punë e kryetares, por edhe do të bëjë kontrollin e saj, si dhe kontrollin e të gjitha ndërmarrjeve publike, të institucioneve arsimore, kulturore e  kështu me radhë. Gjendja nuk është mirë, veçanërisht në sektorin publik, ndërmarrjet publike,  të cilat po përballen me probleme të mëdha dhe jo stabilitet financiar, humbje. Punësime të tejkaluara, partizim. Na pret një punë e madhe për të ndihmuar që punët në të ardhmen të marrin drejtimin e duhur.”- deklaroi Trajko Sllavevski- kryetar i Këshillit të Qytetit të Shkupit.

Nga Partia për Ripërtëritje Demokratike dhe E majta thanë se votimi “pro” zgjedhjes së Sllavevskit nuk nënkupton koalicion për në të ardhmen, por thjesht mbështetje për figurën e Sllavevskit.
Se seancat e ardhshme të Këshillit do të kenë fluks debatesh u vërejt edhe sot me zgjedhjen e kryetarit. Pas votimit për përgjithshëm, ishte anëtarja e LSDM-së  Ljubica Jançeva, e cila kërkoi që të gjithë anëtarët të thirren në emër dhe mbiemër për të pasur më të qartë kush voton pro apo kundër.
Shumicën në këtë këshillë e ka VMRO-DPMNE-ja.

NUMRI I KËSHILLTARËVE NË QYTETIN E SHKUPIT
VMRO-DPMNE                                  18 KËSHILLTARË
LSDM                                                     12 KËSHILLTARË
BDI                                                          5 KËSHILLTARË
E MAJTA                                              4 KËSHILLTARË
ASH-AAA                                             2 KËSHILLTARË
RIPËRTRIRJA DEMOKRATIKE         2 KËSHILLTARË
TË PAVARUR                                       2 KËSHILLTARË

Një nga projektet që pritet të ngjallë më shumë debate mes anëtarëve të Këshillit pritet të jetë transporti publik falas, të cilët nuk thanë nëse do ta mbështesin apo jo. Disa prej tyre e shihnin me skepticizëm mundësinë për realizimin e këtij premtimi, ndërsa disa të tjerë thanë se do të ishte e pamundur që transport publik falas t’u mundësohet të gjithë qytetarëve. Megjithatë, shtojnë se në përcaktimin e qëndrimit të tyre do të luajë rol mënyra se si do të planifikohet realizimi i këtij premtimi të kryetares së Shkupit, Danella Arsovska./alsat


Shtuar 17.11.2021 20:49