Vilson Pepa, i njohur edhe me emrin Soni mbrëmjen e 3 shtatorit u vu në pranga nga autoritetet e Republikës Domenikane pasi ndaj tij kishte një urdhërarresti ndërkombëtar pasi ai është pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës të drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Çopja, grup i cili u godit nga SPAK këtë fillim gushti.
Sipas mediave vendase, Pepa u prangos më 3 shtator në Santo Domingo nën masa të rrepta sigurie i prangosur në duar dhe këmbë dhe mbante veshur një helmetë dhe jelek antiplumb. Në momentin e ndalimit, 40-vjeçarit iu gjetën një pasaportë shqiptare, disa dokumente italiane si dhe pesë telefona celularë të koduar dhe para në dorë.
Sipas policisë dominikane, 40-vjeçari i njohur edhe si Soni Pepa rezulton i përfshirë me një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, 600 kg prej të cilave u sekuestruan në Roterdam të Holandës midis 7 dhe 8 nëntorit 2020. Ai akuzohet gjithashtu për financimin e blerjes së 10 kg të tjerë në të njëjtin qytet.
Ngarkesa e përmendur u nis nga porti i Villetas, në Paraguai, me destinacion portin e Antwerpit, në Belgjikë.
Grupi kriminal ku ishte I përfshirë Pepa sipas SPAK u zbulua nëpërmjet të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC. Grupi ka tentuar të trafikojë në portet kryesore të BE rreth 17 ton kokainë duke kontrolluar në mënyrë të plotë zinxhirin e trafikut të kokainës.
Lënda narkotike fshihej në mënyrë të sofistikuar në ngarkesa legale – kuti sapuni, bombola boje dhe kollose ndërtimi – të maskuara me marka tregtare. Këto ngarkesa transportoheshin me kontejnerë detarë nga portet e Amerikës së Jugut drejt porteve të mëdha evropiane.”