Thirrja nga Siria: Mos dëgjoni ata që thonë se duam të qëndrojmë, mashtrojnë!

Në një kohë kur duket se çështja siriane është lënë në të shkuarën, në shumë shtete europiane si Danimarka, po procedohet me kthimin e shtetasve siriane në vendin e tyre me argumentin se lufta ka mbaruar dhe tani më Siria është një vend i sigurt… por pikërisht në këto kohë, na vijnë disa mesazhe zanore nga shtetaset tona shqiptare të mbetura aty, si një kujtesë se asgjë nuk ka mbaruar.

Elona: “Do zoti bashkohemi një ditë. Dëgjo baba, unë dua të vij. Nëse dëgjon dikë që thotë aty se nuk dua të vij, ata duan të të mashtrojnë ty. Ta kesh 100% të sigurt që dua të vijë dhe mezi po pres… Edhe fëmijët gjynah thonë: “Hë ma, kur do ikim, kur do ikim, kur do ikim… te nëna, te gjyshi, te tezja?Kur do ikim,thonë. Edhe ju mendoni që unë nuk dua të rikthehem. Mezi po pres, as mos e ço në mëndje që nuk dua. Plus unë jam e sëmurë, kam dhimbje, nuk e di çfarë kam, apandesit a ndonjë gjë kushedi çfarë dhe dua të vij të vizitohem se këtu është problem. Të shkosh të vizitohesh edhe vjen puna ‘allah allah’ të fusin ndonjë gjilpërë për të vdekur. Kam frikë të shkoj të vizitohem, nuk shkoj dot”.

Është kjo thirrja për t’u rikthyer pranë gjyshërve e Elona Shulit, vajzës 18 vjeçare nga Pogradeci që u largua drejt Sirisë 7 vite më parë me familjen dhe ku vetëm 14 vjeç në shtetin sirian u bë mama me Suhejdin.

E që pas vdekjes së prindërve, Krenarit dhe Adelinës në luftën krah ISIS, Elona, e vetme kujdeset për djalin e saj 4 vjeçar, për vëllain e vogël, Ibrahimin si dhe për dy motrat Ermën e Jusrën. Ajo vazhdimisht u kërkon familjarëve para për jetesën në kampin Roxh.

Elona: “Baba, nëna si jeni? Ishallah shpresoj të jeni mirë. Ta dini ju dua shumë. Jam tej mase e mërzitur prej jush. Të ishte mami, me babin do e kishit parë që kurrë s’do ju kisha kërkuar leke, por ja që ata u vranë dhe kështu është puna këtu.(qan)

Erma: Ishallah të vimë shpejt se deri në majë të hundës na ka ardhur jeta këtu.Ishallah kur të vij atje t’ju shoh të gëzuar të qeshur.Na ka marr malli shumë për ju.

Në fund të vitit 2020 u bë i mundur riatdhësimi në Shqipëri i një gruaje shqiptare dhe 4 fëmijëve, ndërsa dhjetëra fëmijë të tjerë janë ende në pritje të një operacioni të dytë nga shteti për kthimin e sigurt në vendlindje, por mes tyre ka edhe gra të radikalizuara që vështirësojnë gjetjen./Tch

Shtuar 2.05.2021 08:05