Policia e Lezhës ka arrestuar mbrëmjen e djeshme 56-vjeçarin Albert Pepa, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij iu gjetë një dorezë, një thikë dhe një shkop prej druri.
Gjithashtu policia e Lezhës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 10-vjeçarin, i cili grabiti në një furrë buke mbrëmjen e djeshme në lagjen ‘Besëlidhja’ të qytetit, si dhe ka prangosur shtetasin Mir Bunaj pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Materialet në ngarkim të këtyre tre personave i kaluan prokurorisë së lezhës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i policisë:Lezhë
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. P., 56 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shkop prej druri dhe 2 armë të ftohta (thikë dhe dorezë metalike) që i mbante pa leje.
Gjithashtu, nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. B., 32 vjeç, banues në Kurbin, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në Fushë Milot, duke drejtuar automjetin tip “Peugeot”, në gjendje të dehur.
Nga shërbimet e Policisë Lezhë u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi i mitur O. M., i cili mbrëmjen e kaluar ka vjedhur një shumë parash në një furrë buke në qytet Lezhë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.