Disa drejtues në Komisariatin e Rrëshenit janë shkarkuar pas vrasjes së Martin Bardhit. Kështu është shkarkuar shefi i krimeve, drejtuesi i komisariatit si edhe Shefi i Rendit.
Si ndodhi ngjarja?
Rreth orës 11:00 të 26 shtatorit, ndërsa Martin Bardhi ka qenë duke pirë kafen me personat e lartpërmendur, pranë tyre ka mbërritur një makinë tip “Jeep” i zi.
Nga mjeti është qëlluar me armë duke lënë të vdekur Bardhin dhe të plagosur tre personat e tjerë, të cilët nuk dihet nëse kanë qenë shënjestër e autorëve.
Pas të shtënave, autorët, të cilët ishin të maskuar, janë larguar me shpejtësi me mjetin e tyre.
Pas ngjarjes, policia në fshatin Gëziq, Mirditë, ka konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes.
Motivi i krimit
Shkak i vrasjes dyshohet të jetë hakmarrja.
Kujtojmë se në mars të këtij viti, viktima së bashku ,e djalin e tij kanë tentuar të vrasin me armë zjarri Saimir Reçin, nipin e Kastriot Reçit, pronari i një televizioni lokal në Lezhë, i vrarë me snajper në muajin janar të vitit 2021 në Rrëshen.
Si nisi sherri mes babë e bir dhe Saimir Reçit
Sipas policisë, Enrik Bardhi (djali i viktimës së sotme) ka pasur një konflikt me Saimir Rexhin për parakalim në rrugë.
Saimir Reçi dhe Enrik Bardhi kanë zbritur nga automjetet dhe janë përplasur fizikisht me njëritjetrin në mes të qytetit.
Më pas, Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe së bashku me të atin, Martin Bardhi kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte Saimir Reçi.
Autorët kanë qëlluar në një distancë të afërt në anën e shoferit të BMW, çka e dëshmuan dhe shenjat e plumbave, por mjeti i blinduar e shpëtoi të riun Reçi pa marrë lëndime.