Gjykata e shkallës së parë Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Mersin Mlloja nga fshati Kosmaç i bashkisë Vau Dejës.
38 vjeçari sipas policisë vendore të Shkodrës tentoi të vriste dy shtetas, nënë e bir për motive të dobqta duke i përplasur me automjet në korsinë e dedikuar për këmbësorë. Avokati mbrojtës i 38 vjeçarit, Besmir Kolçe kërkoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për shkak se sipas tij në videon e vënë në dispozicion të gjykatës ku shihet skena e aksidentit, në momentin kur shtetasi Mersin Mlloja afrohet tek shtetasja Dave Ndoja dhe djali i saj Kristjan Ndoja ka frenuar duke ulur pothuajse plotësisht shpejtësinë e mjetit.
Po ashtu nënë e bir kanë marrë dëmtime të lehta dhe që në momentin e parë kanë qenë jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu pala mbrojtëse deklaroi se ky veprim ka ardhur në kushte psikologjike të ngarkuara për shkak të bullizimit që 60 vjeçarja i ka bërë kolegut të saj gjatë një trajnimi për infermierët në Bushat të Vau Dejës.
Këto fyerje nga 60 vjeçarja kanë ardhur për shkak të një problemi fizik që Mersin Mlloja ka me njërën prej këmbëve. 38 vjeçari pasi është ndjerë i bullizuar dhe fyer ka ndërmarrë atë veprim me automjet pak pas mbledhjes së infermierëve.
Pavarësisht pretendimeve të palës mbrojtëse, prokurori Ledion Teme kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndërsa gjyqtarja Egla Mirashi pranoi kërkesën e prokurorisë duke e lënë në paraburgin 38 vjeçarin Mersin Mlloja. Ky i fundit është i dyshuar për veprën penale “vrasja me dashje” mbetur në tentativë.