Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se barrikadat që u vendosën në veri gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, ishin vendosur nga frika. Sipas tij, nga frika edhe janë hequr.
“Bindja ime e fuqishme është që nga frika edhe i kanë vendosur e nga frika edhe i kanë hequr”, ka thënë Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Ne kemi ofruar gjentilesën tonë karshi KFOR-it, i cili kërkoi pak më shumë kohë që të hiqen ato pa ndërhyrjen e policisë tonë. Policia jonë do të ndërhynte para vitit të ri nëse nuk do të hiqeshin barrikadat. Ne i dhamë KFOR-it kohën të cilën e kërkoi sepse natyrisht që më mirë është të hiqen pa intervenim”, ka deklaruar kryeministri.
Më tej, ai ka thënë se nuk do t’i gëzoheshin një ndërhyrjeje të mundshme të Policisë.
“Pra nuk është që ne i gëzoheshim intervenimit të policisë, ne dëshironim që KFOR-i, i cili për 23 vite vazhdimisht ka afirmuar lirinë e lëvizjes, ta sigurojë atë dhe u bë mirë që ata që i vendosën barrikadat edhe i hoqën ato”, ka thënë Kurti. /Albeu.com/