Qeveria e Kosovës njoftoi se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
Të gjitha hapat, sipas Qeverisë së Kosovës, do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.
Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Sipas njoftimit të Qeverisë, prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri do të zvogëlohet menjëherë për 25 për qind.
Po ashtu, Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.
“Qeveria e Kosovës përmes një deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës”, tha Qeveria, duke shtuar se institucionet në Prishtinë shprehin përkushtim që të sigurohet baza e nevojshme ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Po ashtu, Policia e Kosovës, së bashku me misonin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR, sipas nevojës do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së sigurisë “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, njoftoi ekzekutivi.
“BE-ja do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel me synim të finalizimit të planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt normalizimit, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes”, tha Qeveria e Kosovës.
Burime të Radios Evropa e Lirë thanë se takimi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet javën e ardhshme.
Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.