Tensione në veri të Kosovës nga referendumi serb? Njësia Speciale “blindon” zonën

Forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë parë sot në pjesën veriore të Kosovës.

Autoblindat e Njësisë Speciale janë parë teksa janë vendosur afër Zveçanit, saktësisht rreth 6 kilometra nga baza e policisë në jug të Mitrovicës.

Pamje nga atje ka sjellë RTV Dukagjini, ku shihet se pjesëtarët e policisë janë duke e monitoruar situatën.

Kujtojmë se sot në orët e mëngjesit një grup i qytetarëve serbë tubuan për të kundërshtuar moslejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

Policia ka deklaruar për Telegrafin se tubimi ka përfunduar pa incidente, ndërsa ka bërë të ditur se për në orën 12:00 është paralajmëruar mbajtja e një proteste tjetër.

Në këtë tubim prezent ishte edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, deputeti Igor Simiç, si dhe kryetarët e komunave veriore të vendi.

Rakiç tha se do të vendosin reciprocitet në veri të vendit, nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën (15 janar) kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.