Tensionet në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia kanë alarmuar botën. Për ditë të tëra, zyrtarët ukrainas dhe rusë kanë fajësuar njëri-tjetrin për sulmin e vendit, por kush ka bërë çfarë mbetet e paqartë.
Është e vështirë të konfirmosh në mënyrë të pavarur atë që po ndodh atje, raporton BBC.
Forcat ruse pushtuan kompleksin në fillim të marsit, megjithëse teknikët ukrainas janë ende duke e operuar atë.
Nuk është e qartë pse Rusia do të sulmonte një vend që tashmë e kontrollon. Vëzhguesit kanë thënë se mund të jetë një strategji për të luajtur me frikën perëndimore për një katastrofë bërthamore dhe për të degraduar mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Petro Kotin, kreu i kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore të Ukrainës, Enerhoatom, më tha se punëtorët janë nën presion dhe në rrezik, dhe disa ishin kapur, rrahur dhe torturuar.
Përsëri, këto janë pretendime që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, shkruan BBC, por sigurisht që shtojnë shqetësimet për kushtet në uzinë.
Kotin tha se plani rus ishte që përfundimisht të shkëputej centrali nga rrjeti i Ukrainës dhe ta lidhte atë me sistemin rus, një pretendim që ne nuk mund ta verifikojmë.
Thirrjet janë në rritje për Rusinë që të lejojë inspektorët ndërkombëtarë të vizitojnë vendin. Për momentin, megjithatë, uzina është e sigurt, tha Kotin./albeu.com