Tenderat e AKSHI-t, 4.5 mln euro në dy ditë për “ABS”

Dy tendera me fond mbi 4 milionë euro, të zhvilluara nga AKSHI janë fituar nga kompania private e shërbimeve teknologjike, “Advanced Bussines Solution”. Deri në fund të vitit 2024, kompania ‘ABS’ kishte përfituar tender publik në vlerë rreth 53 milionë euro, teksa kjo shifër ka vazhduar të shtohet edhe gjatë vitit 2025.

Kompania private e shërbimeve teknologjike, “Advanced Bussines Solution-ABS”, në dy ditët e fundit, ka fituar dy tender me fond mbi 4 milionë euro, të zhvilluara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Në të dy procedurat, pjesëmarrësit janë të njëjtë dhe skema për të shpallur fitues kompaninë “ABS” është e njëjtë. Në garë marrin pjesë tre konkurrentë. Njëri nuk paraqet ofertë ekonomike. Konkurrenti tjetër jep një ofertë shumë të lartë, në vlerën thuajse sa fondi limit, dhe në fund, fitues shpallet kompania “ABS”.

Tenderi i parë ka për objekt ndërtimin e një sistemi elektronik për shitjen e biletave për sitet turistike, me fond limit 2.1 milionë euro. Rezultatet e këtij tenderi u shpallën të premten, në 11 Prill 2025. Ndërsa procedura e dytë, e zhvilluar po nga AKSHI, ka për objekt përmirësimi e sistemeve të Menaxhimit të Informacionit për Ndihmën Ekonomike, me fond limit 2.3 milionë euro. Fituesi për këtë procedurë u shpall në fillim të kësaj jave, në 14 Prill.

“ABS” është një prej kompanive që merr pjesën më të madhe të tortës, dhjetëra miliona euro të tenderuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Shoqëria është zyrtarisht në pronësi të biznesmenit Gerond Meçe, deri në fund të vitit 2024, kishte përfituar tender publik në vlerë rreth 53 milionë euro. Kjo shifër ka vazhduar të shtohet edhe gjatë vitit 2025, ku vetëm në dy procedurat e fundit është shpallur fitues në tender me fond mbi 4 milionë euro.


Shtuar 15.04.2025 16:54