Telefoni i gruas së Ervis Berberit “ndihmoi” SPAK, për të vënë nën hetim Benet Becin, çfarë u zbulua?

Telefoni që iu sekuestrua bashkëshortes së Ervis Berberit, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, i cili u arrestua nën dyshimet për korrupsion, i hapi telashe me drejtësinë, kryebashkiakut të Shkodrës Benet Beci, që tashmë është vënë zyrtarisht person nën hetim.

Gjatë hetimeve për Berberin, SPAK ushtroi kontroll edhe në bankën e ish-kreut të Autoritetit Rrugor dhe sekuestroi celularin e tij dhe të bashkëshortes, që u zbërthyen më pas nga hetuesit e BKH-së.

Sipas burimeve të “Balkan Web”, bëhet me dije se bashkëshortja e Berberit, ka qenë zyrtare e Korporatës Elektroenergjetike shqiptare dhe në celularin e saj janë zbuluar komunikimeve me Benet Becin, atë kohë drejtues i Korporatës, që lidheshin me disa kontrata për shitblerjen e energjisë.

Pas sigurimit të këtyre të dhënave, SPAK thirri në pyetje dhe më pas i komunikoi kryebashkiakut se është nën hetim, ndërsa janë marrë dëshmitë e dhjetëra zyrtarëve e ish-zyrtarëve të KESH.

Veç Benet Becit, nën hetim janë dhe persona të tjerë, përfshirë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sakaq, KESH në jo pak raste është vënë në qendër të akuzave për çmime apo kontrata abuzive, për shitblerjen e energjisë.

Hetimi pritet të hedhë dritë mbi implikimin e zyrtarëve, por edhe dëmin që mund t’i jetë shkaktuar buxhetit të shtetit.


Shtuar 9.11.2024 14:29