Në videon, që kanë shikuar edhe gazetarët e revistës Monitor, shihen persona të mbyllur në një kasolle të rrënuar, të ulur në dysheme të rrethuar nga plehra. Rreth tyre ka mure të zhveshura dhe hekura metalike, çatia po pikon. Nuk ka mobilje apo tualet.
Kasollja me hekura ndodhet në oborrin e stacionit të policisë kufitare bullgare. Njerëzit që janë të burgosur këtu janë refugjatë nga Siria dhe Afganistani, të cilët kërkojnë mbrojtje në BE.
Raporti i revistës televizive Monitor, i prodhuar nga televizioni publik gjerman ARD, është pjesë e bashkëpunimit me disa media ndërkombëtare. Siç raportojnë ata, kjo është hera e parë që një lloj qendre ndalimi emigrantësh filmohet nga brenda, ku njerëzit mbahen dhe keqtrajtohen përpara se policia t’i dëbojë ilegalisht nga BE.
Regjistrimet nga Bullgaria janë bërë në një periudhë prej pesë ditësh. Dyert e barakave ruheshin vazhdimisht, ndërsa gazetarët panë se si njerëzit më vonë ngarkoheshin në makina dhe largoheshin.
Disa refugjatë deklarojnë se janë burgosur dhe për disa ditë janë mbajtur pa ujë dhe ushqim. Pas kësaj, policia bullgare i ktheu në kufi dhe i detyroi të kthehen në Turqi – pa pasur mundësi të aplikojnë për azil në BE.
„Shkelja e ligjeve“
Avokati Konstantin Hruska nga Instituti Max Planck në Mynih e konsideron një praktikë të tillë si shkelje e shumëfishtë e të drejtave: “Është një shkelje absolute e ligjit. Në asnjë rrethanë nuk duhet të heqim dorë nga ndalimi i trajtimit çnjerëzor apo poshtërues i refugjatëve apo emigrantëve”, tha Hrushka për Monitor.
“Vetë heqja e lirisë është e paligjshme, si dhe dëbimi i mëvonshëm përtej kufirit pa asnjë procedurë”, shtoi avokati. Pamjet e tjera, që kishte në dispozicion ekipi hulumtues, tregojnë gjithashtu dhunë. Policia bullgare shihet duke rrahur me shkopinj njerëz të shtrirë në tokë. Shumë refugjatë raportojnë se policia i ka nxitur qentë kundër tyre.
Sofia zyrtare hesht për këtë. Në një konferencë të fundit për shtyp, ministri i Brendshëm bullgar Ivan Demerdzhiev iu referua vetëm rritjes së pretenduar të sjelljes agresive nga emigrantët, duke shtuar se policia po kujdeset t’i trajtojë refugjatët në mënyrë njerëzore.
Arrestimet para syve të Frontexit?
Është veçanërisht pikante që gjithçka po ndodh para syve të agjencisë kufitare të BE-së Frontex. Redaksia e Monitor ka dokumente të brendshme që tregojnë se Frontex ka dhjetë oficerë në policinë kufitare të Bullgarisë. Disa herë automjetet e Frontex janë regjistruar atje, ndërsa refugjatët u ndaluan dhe u mbajtën në mënyrë çnjerëzore në kasolle.
“Nëse ata heshtin për këtë, atëherë edhe ata janë bashkëfajtorë”. Pra edhe Frontex në këtë rast do të isthe pjesë e problemit”, tha Wenzel Michalski, drejtor i Human Rights Watch në Gjermani.
Hungaria – të mbyllur në kontejnerë
Në Hungari, ekipi hulumtues zbuloi veprime të ngjashme nga policia. Videot tregojnë se si policia i detyron emigrantët me shkopinj të futen në kontejnerë transporti, pa ujë dhe ushqim. Më pas me autobus ata janë dërguar në pikën kufitare dhe janë kthyer në Serbi.
Alessandro Magnone, i cili punon për “Mjekët pa Kufij” në Serbi, thotë se ka shumë raporte për përdorimin e sprejit të piperit në kontejnerë në Hungari. Në këtë mënyrë ata detyrojnë që në kontejnerë të futen sa më shumë njerëz. Në pyetjet e gazetarëve autoritetet hungareze kanë mohuar të gjitha këto akuza, me fjalët se ata gjithmonë u përmbahen ligjeve.
Kraocia: Migrantët e mbyllur
Vitin e kaluar, një sondazh në të cilin mori pjesë Monitor tregoi se refugjatët në Kroaci u detyruan të largoheshin nga BE, pa mundësinë që të kërkojnë azil. Komisioni Evropian më pas dënoi veprimet e policisë kroate.
Por një raport i ri i gazetarit tregon se këto praktika nuk kanë të ndalur. Të prekurit thanë se shpesh u duhej të qëndronin në furgona policie në temperatura të larta, pa dritare dhe pa ujë për orë të tëra përpara se të ktheheshin me forcë – përtej kufirit.
Një grua afgane u tha gazetarëve se në shtator, së bashku me më shumë se 20 persona të tjerë, ajo u mbyll në një furgon për më shumë se tetë orë pa ujë dhe në nxehtësi ekstreme.
Qeveria kroate iu përgjigj pyetjes së gazetarit se nuk mund të komentonte raportet e refugjatëve dhe regjistrimet e tyre. Në përgjigjen e Zagrebit thuhet se Kroacia respekton ligjet dhe se është i vetmi anëtar i BE-së që ka krijuar mekanizma të pavarur të kontrollit kufitar.
Brukseli “i kupton gjërat seriozisht”
Për Wenzel Michalski nga Human Rights Watch, hulumtimi tregon se BE-ja ende nuk ka vullnet për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kufijtë e jashtëm të BE-së: “Natyrisht, ata duan që trajtimi i migrantëve në kufijtë e jashtëm të BE-së të jetë i tillë, që ata të heqin dorë nga përpjekjet që të vijnë në Evropë.”
“Kjo tregon një përbuzje të jashtëzakonshme për qeniet njerëzore,” shton Michalski. Në nëntor, Komisioni Evropian deklaroi se Bullgaria, Kroacia dhe Rumania i plotësojnë kushtet për anëtarësim në zonën Shengen, me pohimet se atej respektohen të drejtat themelore të njeriut. Por Austria dhe Holanda janë deklaruar kundër Bullgarisë dhe Rumanisë, ndaj vetëm Kroacia është pranuar në këtë zonë.
Ndërsa në lidhje me hulumtimet e gazetarëve, Komisioni Evropian thekson se i merr shumë seriozisht akuzat për “sjellje të pahijshme” të policisë. Por ai tregon se vetë anëtarët janë përgjegjës për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për sqarimin e akuzave. /DW