Shtohen dyshimet: 33-vjeçari ndërron jetë pasi u vaksinua me “AstraZeneca”

Një 33-vjeçar në Kroaci vdiq 12 ditë, pasi u vaksinua me AstraZeneca, duke bërë që Agjencia Kroate e Barnave (HALMED) të fillojë një hetim.

HALMED mori sot një raport të një efekti anësor të dyshuar, që pati rezultat fatal për 33-vjeçarin, i cili ishte vaksinuar në 5 mars. Agjencia aktualisht është në kontakt me institucionin shëndetësor ku ndodhi rasti në mënyrë që të paraqesë sa më shpejt të jetë e mundur të gjithë dokumentacionin mjekësor në bazë të të cilit mund të bëhet një vlerësim i marrëdhënies shkak-pasojë.

Raporti i HALMED është shumë i pakët dhe nuk përmban dokumentacion mbi shkakun e vdekjes, si dhe mbi rrjedhën dhe zhvillimin e ngjarjeve që çuan në vdekjen e të riut, shkruajnë mediat e huaja.

Kujtojmë se edhe një grua 91-vjeçare vdiq tre ditë pasi mori një dozë të AstraZeneca, por nuk dihet nëse humbja e jetës është shkaktuar nga vaksina.

Ky rast gjithashtu do t’i dërgohet Agjencisë Evropiane të Barnave sot për t’u përfshirë në vlerësimin në vazhdim, ndërsa nesër pritet një njoftim përfundimtar nga OBSH dhe EMA në lidhje me vazhdimin e vaksinimit me “AstraZeneca”.


Shtuar 17.03.2021 20:00