Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vënë në pikëpyetje sigurinë në vend, pas masakrës me 3 viktima në Fushë-Krujë.
Salianji duke folur nga foltorja e Kuvendit, ku po diskutohej për moratoriumin e gjuetisë së kafshëve, është shprehur se shqetësim real është që të parandalohet “gjuetia” e njerëzve.
Sipas tij, personat që përfliten në kronikën e zezë, janë të lidhur me Partinë Socialiste dhe mbledhin vota për ta.
“Në rrugën dhe aksin kryesor të veriut, vruiten tre të rinj. Të cilëve nuk dua t’i hyj problemeve që kanë me ligjin, por janë probleme që lindin për shkak të politikave. Qeveria nuk jep një mesazh, pavarësisht se ngjarja është e kësaj jave. E kam thënë dhe njëherë. Çështë ky shtet që banditët gjejnë njëri-tjetrin dhe nuk i gjen dot qeveria. Nuk i gjen dot qeveria, apo ka korrupsion.
Të gjithë emrat që përfliten në kronikën e zezë, janë emrat që ne i kemi përmendur si njerëz të përfshirë në një veprimtari kriminale. Në shitblerje votash. Çdo person që del në kronikën e zezë në Shqipëri, mbledhin vota për PS-në. Në këtë sallë, njerëzit më të mbrojtur, me vrasjet sikur të kenë ushtri, mund t’i vendosin objektiv çdo njeriu. Kjo është gjuetia e njeriut. Të bëhemi bashkë dhe të ndalojmë gjuetinë e njerëzve. Duke ndëshkuar dhe duke dhënë mesazh.
Duke çliruar mijëra punonjës të policisë së shtetit që janë nën kërcënimin e bandave që ulen dhe hanë e pijnë me përfaqësus të PS-së. Monopolet i kanë ata. Pyet njeri këtu pse vendoset moratorium për gjuetinë. Nuk po pyesin për të vrarë njerëz. Krimet nuk i zbardhin dot, por vetëm si agjenci lajmesh thonë se u gjet kjo makina aty. Identifikimin e bëjnë më shpejt mediat se policia. Padiskutim, edhe çelja e negociatave është për shkak të qëndrimit gjeopolitik, duhet përshëndetur deklarata e Sekretarit amerikan të SHBA-së. Nëse do ishte për shkak të Shqipërisë, do hapej shampanja në mënyrë të përditshme”, tha Salianji.