Në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot pritjen tradicionale me zyrtarët publikë të Zyrës së Kryeministrit, të cilëve u shprehu mirënjohje për angazhimin dhe kontributin në funksion të qytetarëve dhe të shtetit.
Gjatë adresimit të tij, Kurti vuri në pah rolin e administratës publike, duke nënvizuar se, pavarësisht pengesave politike dhe procedurale, shteti po vazhdon të funksionojë dhe të shënojë përparim në fusha të ndryshme.
Të lidhura
None found
Ai renditi ekonominë, kulturën, arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, mjedisin dhe sportin si disa prej sektorëve ku po vërehet ecje përpara, falë punës së zyrtarëve publikë në institucionet shtetërore.
Në prag të Ditës së Shërbimit Publik, Kurti theksoi se politika duhet kuptuar si shërbim ndaj qytetarëve, ndërsa theksi i institucioneve, sipas tij, duhet të mbetet te puna, efikasiteti dhe zbatimi i vullnetit qytetar.
Ai u kërkoi zyrtarëve që të forcojnë bashkëpunimin dhe komunikimin mes tyre, duke theksuar se sfidat kapërcehen më lehtë kur punohet në ekip dhe kur ndahen njohuritë.
Në përmbyllje, kryeministri në detyrë i nxiti punonjësit e administratës që të vijojnë me përkushtim punën në shërbim të qytetarëve, ndërsa njëherazi u uroi punë të mbarë dhe pushime të këndshme gjatë sezonit veror.
