PD kaloi sprovën më të madhe të saj më datë 8 janar. Ajo e tre ditëve më parë ishte sprovë edhe më e madhe se viti ’97, pasi tashmë demokratët përballeshin me veten dhe jo me zemërimin e shqiptarëve që kishin humbur paratë në fajde.
Ndërkohë që Berisha kishte marrë masat për të sulmuar nga jashtë me të gjitha mjetet, përfshi varre dhe hekura të mëdhenj që u përdorën si dash për të thyer dyert e hekurit, Basha kishte planifikuar të organizonte një mbledhje në parti duke u grupuar në katin e dytë të selisë së fortikuar.
Se çfarë ndodhi më pas të gjithë e panë në televizor dhe rrjetet sociale, por Albeu.com do të hedhë dritë mbi atë që nuk është folur ende deri më tani.
Bëhet fjalë mbi personat që nuk iu përgjigjen thirrjes së Bashës dhe deputetëve pranë tij në katin e dytë të selisë së PD-së, ndërkohë që Berisha dhe të tijtë kishur ardhur për ta marrë.
Më datë 8 janar, Berisha kishte thirrur një mbledhje të Kryesisë, me kryetarët e degëve si edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së.
Burime bëjnë me dije se në atë sallë ndodheshin rreth 100 persona që iu përgjigjen ftesës së Bashës, një pjesë e mirë e tyre deputetë, por munguan tre emra, të cilët nuk mund të anashkalohen.
Ata janë nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, deputetja Oriola Pampuri dhe deputetët e Shkodrës, Helidon Bushati dhe Emilja Koliqi.
Burime nga PD bëjnë me dije për Albeu.com se Tabaku kishte dhënë si arsyetim për mosprezencën e saj një problem familjar që i ishte shfaqur duke thënë se kishte punuar nga shtëpia atë ditë.
Ndërhyrja e policisë shmangu më të keqen në selinë e PD-së atë pasdite të 8 janarit, pasi nëse do të kishin mundur të futeshin brenda pas 3 orësh përplasje, përballja mes mbështetësve të Berishës dhe figurave të PD-së që ishin në katin e dytë mund të kishte qenë më shumë se e përgjakshme. /albeu.com