Të mirat që i bëni fytyrës nëse nuk përdorni grim

Grimi është për shumë femra pjesë integrale e përditshmërisë së tyre. Ka aftësinë të na ngrejë humorin, të nxjerrë në pah tiparet tona dhe të na bëjë të ndihemi krijues. Por sado që grimi të jetë miku më i mirë i një gruaje, ai mund të jetë një aleat jo shumë i mirë për shëndetin e lëkurës.

Kimikatet që gjenden në shumë buzëkuq, lapsa sysh dhe rimel janë treguar se shkaktojnë probleme të menjëhershme, shumë serioze shëndetësore: sulfatet dhe mineralet janë disa nga përbërësit në kozmetikë dhe produkte për kujdesin e lëkurës që shpesh mund të shkaktojnë skuqje të fortë, thatësi dhe kruajtje, madje edhe alergji në lëkurë.

Por çfarë do të ndodhë me lëkurën tuaj nëse një ditë vendosni të ndaloni së përdoruri grimin apo ta reduktoni në mënyrë drastike atë?

Poret do të marrin frymë

Kur bëni grim për orë të gjata, poret e lëkurës mbulohen. Në fund të fundit, qëllimi i fondatinës dhe korrektorit është të mbulojë poret tuaja dhe të barazojë tonin e lëkurës tuaj. “Bllokimi i lëkurës mund të shkaktojë puçrra, pika të bardha ose pika të zeza. Gjithashtu mund ta bëjë lëkurën të duket pa jetë– veçanërisht nëse aplikohet shumë grim”, tha dermatologia Papri Sarkar.

Artistja e grimit Teresa Tarmey pajtohet, duke thënë: “Grimi bllokon poret, veçanërisht nëse nuk e hiqni grimin para se të shkoni në shtrat. “Lëkura bën magjinë e saj gjatë natës dhe me të vërtetë do të thithë çdo produkt të mbetur në lëkurë,” vazhdoi Tarmey. Dhe konsideroni të hiqni grimin tuaj herë pas here për t’i dhënë një pushim lëkurës tuaj. Ju mund të habiteni se sa mirë ndihet dhe pastrohet lëkura juaj kur ndaloni së përdoruri grimin.

Lëkura juaj do të fitojë kolagjen dhe elastinë

Shumë prej nesh përdorin grim për t’u dukur më të rinj dhe për t’i dhënë lëkurës një shkëlqim. Por realiteti është se mbajtja e grimit për orë të gjata mund të zvogëlojë shkëlqimin natyral të lëkurës suaj. Kur fytyra juaj është e mbuluar me grim – veçanërisht gjatë natës – lëkura juaj e ka më të vështirë të rigjenerojë kolagjenin dhe elastinën. Dhe sipas Tarmey. “Lëkura me nivele të shëndetshme të kolagjenit dhe elastinës nuk është vetëm më e re, por është më e fortë.”

Kirurgu plastik David Jack thotë se pastrimi dhe eksfolimi i lëkurës tuaj është edhe më i rëndësishëm se hidratimi për të marrë atë lëkurë të zhdërvjellët që keni dashur gjithmonë. Ju duhet të hiqni qelizat e vdekura të lëkurës në mënyrë që lëkura juaj të rigjenerojë natyrshëm qeliza të reja të shëndetshme. Por grimi e pengon këtë proces, shpjegoi ai.

Aknet mund të largohen

Ju mund të jeni duke bërë grim për të mbuluar aknet, por duhet të keni parasysh se grimi mund të jetë ai që shkakton shpërthimin e tyre. Ndonëse mund të ndiheni të turpëruar të dilni nga shtëpia me një puçërr të madhe në ballë (edhe pse nuk duhet, sepse kjo na ka ndodhur të gjithëve), rezistimi ndaj dëshirës për ta mbuluar me bazament të rëndë mund të jetë gjëja më e mirë që ju mund bëni. “Përdorimi i tepërt i kozmetikës, veçanërisht i fondatinës, mund të çojë në acarim të lëkurës ose në puçrra fytyre”, thotë dermatologu Joshua Zeichner. “Marrja e një pushimi nga grimi mund të ndihmojë në riparimin dhe rigjenerimin e lëkurës”.

Sidoqoftë, sigurohuni që t’i përmbaheni rutinës tuaj të pastrimit. “Nëse nuk e pastroni fytyrën, qelizat e vdekura të lëkurës nuk hiqen”, thotë dermatologia Annie Chiu. “Ato qëndrojnë në lëkurë, bllokojnë poret dhe çojnë në inflamacion kronik në formën e puçrrave”.

Fshijeni grimin dhe ndoshta lëreni për pak kohë! Provojeni dhe shikoni se si lëkura juaj pastrohet me kalimin e kohës. Nëse lëkura juaj nuk duket se po përmirësohet, bisedoni me dermatologun tuaj, pasi mund të keni një gjendje themelore të lëkurës që nuk lidhet me irrituesit e grimit që ka nevojë për trajtim.

Lëkura juaj do të duket më e re

Të luash me ngjyrat dhe konturet mund të jetë argëtuese dhe t’i japë fytyrës një pamje të freskët. Megjithatë, lëkura juaj ka të ngjarë të duket shumë më e re nëse hiqni qafe grimin fare. Sigurisht, mund të duhet pak të mësoheni, por, me kalimin e kohës, do të vini re se lëkura juaj në të vërtetë përmirësohet vetë.

“Grimi i bllokuar në lëkurë shkakton dëmtim oksidativ”, tha dermatologia Annie Chiu. “Kjo, shpjegon ai, çon në një prishje të barrierës së lëkurës dhe plakjen e parakohshme të fytyrës tuaj.”

Qerpikët tuaj mund të bëhen më të gjatë dhe më të fortë

“Qirpikët bëhen të brishtë dhe të thatë kur maskara ripërdoret disa herë gjatë ditës, kështu që heqja e plotë e grimit do t’i lërë qerpikët tuaj më të shëndetshëm dhe do të ndihmojë në ruajtjen e gjatësisë së tyre”, shpjegon Rachel Nazarian, dermatologe nga Nju Jorku në Schweiger Dermatology Group.

Lëkura juaj e thatë mund të përmirësohet

“Një nga problemet më themelore me mospastrimin e fytyrës para gjumit është se parandalon eksfolimin natyral të lëkurës, ku lëkura e vdekur zëvendësohet me qeliza të reja,” vëren Dr. Rachel Nazarian në Schweiger Dermatology Group.

Pastrimi çdo natë është një hap i parë i mirë, veçanërisht nëse keni lëkurë të thatë. “Nëse keni një gjendje ku pengesa e lëkurës është e ndërprerë, si thatësi e rëndë ose ekzema, mos mbajtja e grimit mund të lejojë që lëkura të shërohet vetë”, rekomandoi dermatologu Joshua Zeichner.


Shtuar 8.05.2023 09:12