Edi Paloka dhe Gazment Bardhi dy të mandatuarit e Berishës dhe Alibeajt janë gati të ulen sot përballë njëri-tjetrit për të diskutuar mbi mundësinë e bashkimit në zgjedhjet vendore. Kreu i PD, Sali Berisha mblodhi të hënën në selinë blu drejtuesit politik të qarqeve për të diskutuar mbi aksionin politik të opozitës por edhe nisjen e procesit të primareve. Në radhët e Berishës ka optimizëm se bashkimi mund të ndodh.
Por paralelisht me takimin e Berishës, në Kuvendin e Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj thirri deputetë te tij të grupit parlamentar. Në takimin me dyer të mbyllura, Gazment Bardhi sqaroi para deputetëve komunikimin me Edi Palokën, ku ndryshe nga optimizmi në radhët e deputetëve të Berishës u shpreh skeptik.
“Disa ditë më parë unë pranova të jem personi që do të kontaktoj me z. Paloka i cili është mandatuar nga grupi tjetër i kolegëve të PD. Dua t’ju sqaroj se kam qenë në komunikim me z.Paloka por nuk jemi takuar për shkak se ai ka qenë jashtë shtetit. Kemi dakordësuar që të takohemi të martën. Fatkeqësisht paralelisht me këtë takim të parashikuar me z. Paloka nga media jam njohur me një mbledhje që do të zhvillohet në PD për nisjen e procesit të primareve. Kjo na bën të jemi përpara një fakti të kryer. Por unë do t’i qëndroj deri në fund vullnetit të shumicës për të kryer çdo diskutim në funksion të daljes me kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore”.
Përballë vendosjes në pozitat e faktit të kryer, deputetët Agron Gjekmarkaj dhe Flutura Açka i kërkuan kolegëve të tyre në grupin Alibeaj të nis puna për zhvillimin e takimeve dhe evidentimin e kandidatëve potencial për të dalë me emra të veçantë nëse negociatat do të dështojnë. Një skenar i tillë do ta çonte Partinë Demokratike dhe opozitën në pozitat e 6 marsit, ku dolën me 2 kandidatë dhe rezultuan humbës në 5 nga 6 bashkitë ku u garua.