Tatimi te profesionet e lira rrezikon tkurrjen e eksporteve të shërbimit IT dhe start up-ve të reja

Vitet e fundit tregu i shërbimeve IT në Shqipëri, për të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime ndaj të tretëve, është zgjeruar për shkak të konkurrueshmërisë nga zerimi i taksave.

Vendosja e tatimit nga 15 deri 23% te profesionet e lira, pritet të ketë ndikim negativ edhe te kompanitë apo të vetëpunësuarit ofrues të këtyre shërbimeve.

Aleksandër Risilia themelues dhe drejtues i kompanisë “Ritech” që ofron shërbime IT për tregun në SHBA, tha për podcast-in “Business Plus” se normat e reja tatimore për profesionet e lira, do të ndikojnë në tkurrjen e numrin të kompanive IT.

“Zerimi i taksave për profesionet e lira ka dhënë shumë kontribut për zgjerimin e tregut IT në Shqipëri. Përpara krizës globale të vitit të kaluar, numri i kompanive dhe të vetëpunësuarve të shërbimit IT është rritur 40 deri 50%. Vendosja e taksimit do të ketë disa efekte. E para, kompanive IT iu vihet “laku në fyt” me taksimin e ri.

Së dyti, përfshirja e taksimit nisur nga të dhënat që ne disponojmë i ka shtrenjtuar shërbimet e ofruara në Shqipëri më shumë se në Kosovë dhe Maqedonia e Veriut. Kjo do të sjellë stopim të rritjes së kompanive dhe të vetëpunësuarve në këtë sektor, por edhe tkurrje të tyre. Efektet nuk janë aspak pozitive për këtë sektor që prej vitesh është zgjeruar në Shqipëri. Nga ana tjetër, eksportuesit e shërbimeve IT, të cilat po krijojnë vlerë aftësish në tregun shqiptar, po vuajnë efektet e forcimit të lekut”.

Risilia shton se zbatimi i tatimit te profesionit e lira, do të ndikojë negativisht jo vetëm te industria eksportuese e shërbimeve IT në Shqipëri, por edhe ndërprerjen e aftësimit profesional të individëve për të themeluar start-up-e të reja inovative për tregun e huaj.

“Nuk jemi ende gati për të qenë një treg i madh start-up, pasi të gjitha tregjet e ngjashme, si në Poloni dhe Rumani të cilat e kanë kaluar këtë fazë, fillimisht e kanë nisur duke ofruar shërbime ndaj kompanive të huaja.Të punosh për kompani të mëdha do të thotë të rrisësh aftësitë profesionale. Kjo ka sjellë që shumë individë që kanë punuar më parë me kompanitë e mëdha të huaja janë aftësuar profesionalisht për krijuar start-up, pasi është shumë e vështirë për të ngritur start up inovativ me impakt botëror nëse nuk ke aftësi. Aftësitë fitohen duke punuar për kompani e mëdha. Prandaj është tepër e nevojshme që miratimi i politikave fiskale të jenë të përshtatshme për IT, pasi janë kontribuuesi më i madh i individëve për ngritjen e strat up në Shqipëri”, tha ai.

Risilia tha se industria nuk është më në krizë për gjetjen e punonjësve, situata i është rikthyer normalitetit para pandemisë së Covid-19.

“Pas pandemisë së Covid-19 sektori IT në mbarë botën u fut në krizë, nga ku u prek edhe sektori në Shqipëri. Kriza nisi nga gjysma e dytë e vitit 2021, madje viti 2023 ka qenë më i vështiri për industrinë.

Kompanitë u përgatitën për këtë situatë dhe pavarësisht se viti 2023 ishte i vështirë, rekrutimet e stafit u rritën 30%. Tashmë situatë është më e lehtë për rekrutime në sektorin IT, pas krizës për gjetjen e punonjësve që shkaktoi jo vetëm fryrje masive të pagave, por edhe të lëvizjeve të punonjësve. Pati një kërkesë të lartë edhe nga kompanitë europiane për punonjës remote nga Shqipëria, për këtë arsye shumë prej programuesve emigruan drejt Holandës apo Gjermanisë.

Aktualisht disa programues apo inxhinierë software që emigruan po rikthehen, sepse politikat fiskale të vendeve të zhvilluara taksojnë një pjesë të konsiderueshme të ardhurave të tyre. Të ardhurat neto mbeteshin të pakta. Duhet theksuar se shumë prej tyre kishin dëshirë për të provuar të punonin dhe jetonin jashtë, por pavarësisht të ardhurave të larta, përballimi i kostos së jetesës në Europë është i lartë”, pohon ai. /Monitor