Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar pas deklaratave të Spartak Dobit, bashkëshortit të Rozeta Rakipllarit.
Spartak Dobi, tha se pas arrestimit të familjarëve (gruas dhe djalit ) kishte pasur një takim me Ministrin e Drestësisë, ku ky i fundit i kishte premtuar lirimin e djalit.
Përmes një reagimi zyrtar Manja, përgënjeshtron takimin dhe thekson se deklaratat e Dobit janë shpikur për shkak të gjendjes së tij të rënduar posikologjike. Ministri shton se as nuk është takuar dhe as nuk e njeh fare personin në fjalë.
REAGIMI I MINISTRIT TË DREJTËSISË
Mbrëmjen e djeshme u njoha me një intervistë të dhënë nga bashkëshorti dhe babai i dy të akuzuarve për vjedhjen e një shume parash në Tiranë.
Kushdo që do ta shihte atë intervistë do e kuptonte lehtësisht gjendjen e rënduar të personit të intervistuar.
Dua të besoj se ishte pikërisht kjo gjendje e rënduar arsyeja që e ka shtyrë zotin Dobi të shpikë edhe takimin me mua, apo dialogun imagjinar që paskemi patur me njëri-tjetrin. Por teksa gjendja psikologjike e një pensionisti që vuan arrestimin e djalit dhe gruas mund të kuptohet, është e pajustifikueshme përdorimi që i bëhet këtij personi nga media për qëllime kryekëput politike.
E vërteta është se unë kurrë nuk jam takuar me Spartak Dobin. Madje as nuk e njoh këtë person, as familjarët e tij. Sikurse unë kurrë nuk kam punuar në Bashkinë e Tiranës, pavarësisht pretendimeve të personit në fjalë.
Si Ministër i Drejtësisë, unë mbështes plotësisht hetimet e organeve përgjegjëse dhe inkurajoj zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin e fajtorëve.