Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e tagave, nuk është arritur asnjë marrëveshje.
“Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”, tha Vuçiq pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel.
“Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia “do t’i qëndrojë pranë popullit serb” në Kosovë. Ai paralajmëroi se këtë javë do t’i drejtohet publikut serb.
Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimi u mbajt me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell, ndërsa nisi rreth orës 10:00.
Fillimisht, Borrell mbajti takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.
Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.
“… t’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi ai në Twitter.
Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar.
Takimi i sotëm në Bruksel është thirrur një ditë para nisjes së zbatimit të fazës së dytë – shqiptimit të gjobave prej 150 eurosh për shoferët me targa ilegale.
Serbët në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa.
Në BE nuk duan të përmendin ndonjë afat kohor se sa do të zgjasë takimi, por thonë se shpresojnë se ai do të përmbyllet deri në mesditë.
Borrell do të jetë i shoqëruar nga i dërguari i Posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza e tashme dhe shmangia nga eskalimi i mëtejmë i tensioneve në terren, me theks targat e veturave dhe kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Shtetet e Bashkuara thanë një ditë para takimit se shpresojnë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje “në ditët në vijim” për çështjen e targave, dhe se “në mënyrë aktive po i mbështesim këto përpjekje”.
SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale.
Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 20 nëntor se nuk është optimist për takimin në Bruksel.
“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiq më 20 nëntor në një intervistë për televizionin Prva.
Kurti më 18 nëntor tha se Kosova është duke “bërë çmos për të ruajtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë, nga njëra anë, dhe paqen e sigurinë, nga ana tjetër”.
“Unë jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft destruktive dhe në ditët në vijim do të shohim sa do të jemi të suksesshëm në këto negociata të reja”, tha ai.
Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj nga 1 nëntori. Plani për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia ka paraparë tri faza.
Faza e parë përfshinte qortimin e shoferëve, e dyta shqiptimin e gjobës prej 150 eurosh për ata shoferë, dhe e treta targat provuese.
Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.
Të mbështetur nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në veri kundërshtojnë këtë proces dhe insistojnë në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës – nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar të hënën në Bruksel pas më shumë se tre muajsh. Edhe pse atëherë ishte thënë se pritet të ketë një dinamikë të re në dialog dhe takime të nivelit të lartë së paku një herë në muaj, liderët e dy vendeve nuk janë takuar në kuadër të këtij procesi që nga muaji gusht./REL