Ngjarja e rëndë e ndodhur pak pas mesnatës se djeshme në ambientet e televizionit “Top-Channel”, ku mbeti i vrarë roja i këtij televizioni Pal Kola, për momentin ka në verifikim vetëm dy persona.
Atentati që i mori jetën 60-vjeçarit Kola dhe dëmtoi rëndë fasadën prej xhami të këtij televizioni, ka krijuar bindjen se është organizuar nga një grup kriminal.
Por pavarësisht këtyre dyshimeve, aktualisht policia kriminale është duke “testuar” besueshmërinë e dy personave nga qyteti i Shkodrës.
Dy personat janë ndaluar në orën 03:00 të mesnatës, dy orë pas ndodhjes së ngjarjen në ambjentet e “Top-Channel” në Tiranë.
Ndalimi i tyrë është kryer në ikje e sipër, ku një patrullë e skuadrës “Shqiponja” ndaloi makinën.
Sulmi ndaj Top Channel, një nga të ndaluarit ish-dhëndri i Pal Kolës, u kap nga policia në Vlorë.
Për shkak se dy personat nga qyteti i Shkodrës kanë dhënë dëshmi kontradiktore, ata janë shoqëruar në ambjentete policisë.
Vetëm në orët e mëngjesit, policia kriminale ka zbuluar se njëri nga personat e ndaluar rastësisht në orët e mesnatës në Vlorë, është ish-dhëndri i viktimës Pal Kola.
“Ora News” ka mësuar përmes burimeve të sigurta në policinë e Tiranës, se njeriu që po verifikohet tashmë, është Roberto Papçi nga qyteti i Shkodrës.
Roberto Papçi, është ish-dhëndri i Pal Kolës nga Bicaj i Pukës dhe se dy vite më parë është divorcuar nga vajza e njeriut që mbeti viktimë në parkimin e televizionit “Top-Channel”.
Sipas burimeve të policisë, çifti ka pasur konflikte për ndarjen dhe kujdestarinë e fëmijëve, por deri në këtë fazë të hetimit kjo mbetet vetëm si pistë për tu hetuar.
Pasi ende nuk ka një qartësim të plotë nga ana e policisë, nëse kemi të bëjmë me një sulm ndaj rojes Pal Kola apo ndaj televizionit “Top-Channel”.
Fakti që Pal Kola, është qëlluar në ambjentet e parkimit të televizionit, ngre dyshime se ai mund të ketë qënë objekt i këtij sulmi.
Por nga ana tjetër, dëmtimi i fasadës së xhamit dhe vendrojes, ngre njëherësh dyshime se objektiv i sulmit mund të ketë qenë pikërisht Top-Channel.
Roberto Papçi është ndaluar në Vlorë së bashku me një shokun e tij nga qyteti i Shkodrës.
Ndalimi i tyre është kryer vetëm për verifikim, por në orët e drekës policia kriminale ka urdhëruar transferimin e Roberto Papçit dhe shokut të tij në ambjentet e Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Grupi i hetimit që po ndjek ngjarjen e rëndë, ka marrë në pyetje Papçin por ky i fundit nuk ka pranuar të ketë lidhje me ngjarjen.
Para oficerëve të policisë, Papçi ka dhënë dëshmi të shkurtër, duke treguar se ka shkuar në Vlorë për qef.
Ndërkohë të dyve personave u është bërë testi i faktorëve plotësues, me qëllim gjetjen e grimcave të barutit të djegur në duar dhe rrobat e tyre.
Deri në mëngjesin e sotëm, policia ende nuk është njohur me rezultatin e kësaj analize.
Ndërkohë 4 aparatet telefonike të sekuestruar dy personave po i nënshtrohen një ekzaminimi kompjuterik.
Hetimet janë në zhvillim e sipër, ndërsa prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj një ose më shumë personave”.
Pal Kola, ishte punësuar në kompaninë “Octapus” 6 muaj më parë dhe shërbente si roje objekti pranë televizionit “Top-Channel”. /Oranews/