Zyrtarë të SHBA-së, kanë deklaruar se Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, është arrestuar të shtunën nga anëtarë të njësisë elitare Delta Force, njësia më e specializuar e ushtrisë amerikane.
Njësia e njohur Delta Force, ishte gjithashtu përgjegjëse për misionin e vitit 2019 që çoi në vdekjen e ish-udhëheqësit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, shkruan CBS News.
Ministri venezuelan i Mbrojtjes, Vladimir Padrino López, njoftoi në një video të publikuar në rrjetet sociale mobilizimin e forcave ushtarake në të gjithë vendin, pas sulmeve të ushtrisë amerikane.
Ministri i mbrojtjes bëri thirrje për një front të bashkuar rezistence përballë “agresionit më të keq” kundër Venezuelës.
Ai deklaroi se të gjitha forcat e armatosura do të vendoseshin në terren sipas “urdhrave të Maduros”, por nuk përmendi kapjen e supozuar të presidentit.
Na kanë sulmuar, por nuk do të na mundin”, tha ai, duke bërë thirrje për qetësi dhe unitet, dhe paralajmëroi kundër anarshisë dhe çrregullsisë, duke shtuar: “të mos biem pre e panikut që armiku kërkon të instaloje”.
Shtetet e Bashkuara nisën një sulm ndaj disa vendeve në Venezuelë, duke përfshirë bazat ushtarake në vend. Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në orën 2 të mëngjesit sipas orës lokale në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, dhe vende të tjera në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.
Aksioni ushtarak u urdhërua nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili në javët e fundit kishte ngritur mundësinë e sulmeve tokësore kundër Venezuelës dhe kishte deklaruar se ditët e Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, ishin “të numëruara”, pasi vendosi një flotë anijesh luftarake në Karaibe.
Përmes një reagimi Trump tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit.
