Stuhia dimërore godet SHBA-në/ Shtatë persona kanë humbur jetën, mbi 800 mijë familje pa energji elektrike

Një stuhi e fuqishme dimërore ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar të paktën shtatë viktima dhe ndërprerje masive të energjisë elektrike për qindra mijëra familje.

Shkolla dhe rrugë në mbarë vendin janë mbyllur, ndërsa mijëra fluturime janë anuluar, pasi kushte të përshkruara si “kërcënuese për jetën” janë shtrirë nga Teksasi deri në New England, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, raporton BBC.

Të paktën dy persona humbën jetën nga hipotermia në Luiziana, ndërsa vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë raportuar në Teksas, Tenesi dhe Kansas.

Sipas të dhënave të publikuara pasditen e së dielës nga poweroutage.us, mbi 800 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike.

Ndërkohë, më shumë se 11 mijë fluturime janë anuluar, sipas FlightAware.

Reshje të dendura bore dhe akull kanë përfshirë zona të vendit. Fenomeni i shiut të ngrirë, ku pikat e ftohura të shiut ngrijnë menjëherë në kontakt me sipërfaqet, konsiderohet veçanërisht i rrezikshëm.

Autoritetet paralajmërojnë se kushtet e motit mund të zgjasin për disa ditë dhe se stuhia mund të prekë rreth 180 milionë amerikanë, më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit.


Shtuar 26.01.2026 07:48