Prej mesditës së djeshme, Shqipëria është përfshirë nga moti i keq, i cili ka shkaktuar të paktën një viktimë deri më tani, si edhe dëme të mëdha materiale për shkak të përmbytjeve dhe erës së fortë.
Rënia e pemëve ka shkatërruar disa makina në Tiranë dhe Durrës, ndërkohë që zona të shumta mbetën pa energji elektrike për disa orë. Moti i keq për shkak të stuhisë “Ciaran” ka shkaktuar një të vdekur dhe një të plagosur në 24 orë dhe pritet të vijojë edhe sot duke sjellë shira të shumta në zona të ndryshme të vendit. Disa bashki kanë dhënë alarmin.
Ministria e Mbrojtjes njofton se ekipet e emergjencave, koordinuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, punonjës të drejtorive vendore të rrugëve, zjarrfikëses dhe policisë kanë punuar në terren për të garantuar qarkullimin pa vështirësi të qytetarëve dhe automjeteve.
Në Tiranë situata është përmirësuar, krahasuar me një ditë më parë.
Po punohet në segmentin rrugor Bënçë-Lekdush, në vendin e quajtur “Uji i Varur”, bashkia Tepelenë, në aksin rrugor Picar- Golem, për zhbllokimin e rrugëve nga inertet. Një grup prej 23 turistësh të huaj u evakuuan pa probleme, pasi u bllokuan në hyrje të kanionit të Langaricës për shkak të prurjeve të shumta të lumit.
Në disa akse rrugore në Shkodër, Dibër, Elbasan, Berat e Korçë po punohet për pastrimin e rrugëve. Ndërsa ekipet e OSHEEE po mundësojnë rilidhjen e energjisë në disa zona të thella të Gjirokastrës, Vlorës, Beratit, Fierit, Korçës, Dibrës e Elbasanit.