Këtë të mërkurë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u paraqit në seancën gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme, lidhur me çështjen e sterilizimit.
Gjatë deklarimeve të tij para trupës gjykuese, Beqaj kërkoi pushimin e menjëhershëm të çështjes dhe shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit të gjyqtares Etleva Daviđi.
“Ky procedim nuk duhej të niste fare. Çështja është hetuar më parë nga Prokuroria e Tiranës”, u shpreh Beqaj.
Ai iu referua gjithashtu direktivave të Bashkimit Europian dhe legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të personave të akuzuar, të cilat i lexoi para gjykatës si pjesë e mbrojtjes së tij.
Duke iu referuar mbrojtjes ligjore, Beqaj tha: “Avokati që u largua u njoh me një dosje voluminoze për vetëm dy javë. I bëj thirrje kreut të Dhomës së Avokatëve, Maks Haxhia, të shohë me vëmendje këtë situatë”.
Ai shtoi gjithashtu se nuk është takuar asnjëherë me avokatin në burg, ndërsa konsultimi i tij me dosjen ka ndodhur vetëm në gjykatë.
Aktualisht, Beqaj po gjykohet në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për çështjen e sterilizimit, ndërsa ndodhet në paraburgim për dosjen “SASPAC”, në lidhje me fondet e Bashkimit Europian.
Në seancën e kaluar, ai paraqiti një deklaratë në të cilën kërkonte shtyrjen e seancës për shkak të gjendjes shëndetësore, të shoqëruar me dokumentacion mjekësor dhe recetë të terapisë që po ndjek në paraburgim.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur ndaj tij pesë akuza: korrupsion pasiv i funksionarëve publikë, mashtrim, falsifikim dokumentesh, shkelje e barazisë në tendera dhe fshehje të pasurisë.