Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, u pyet këtë mbrëmje në studion e emisionit “Top Story” në lidhje me foton e publikuar në Facebook-un e Kuvendit të Shqipërisë ku bëhej thirrje për të votuar numrin 5 që mban PS në fletën e votimit për zgjedhjet e 11 majit.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u shpreh se nuk përdor asnjë punonjës të administratës për fushatë dhe nuk përdor as makinën zyrtare gjatë fushatës.
“Kryetari i Kuvendit nuk përdor makinën zyrtare në fushatë. Unë kam veten time, të qënurit figurë politike. Ka një tentativë për të dezinformuar për shkaqe të kuptueshme.
Vërej që ka tentativa për dezinformim për konflike të rreme në territor. Besoj që janë alibi të dy javëve të fundit për shkak të një vetëdije mbi rezultatin zgjedhor që opozita do marrë.
Fillon zhurma nga i pari që ka aftësi të jashtëzakonshme për të shpifur dhe t’i kthejë në diskutime.”-tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, debatoi në studio edhe me gazetarin Arion Sulo për mënyrën se si duhet t’i drejtohen njëri-tjetrit.
“Mbaj vendin dhe fol siç duhet dhe siç i takon kësaj studioje. Mu drejto me znj. Spiropali dhe unë do ju drejtohem me z. Sulo. Lëri humoret.”-tha Spiropali.
Gazetari Sulo ju drejtua Kryetares së Kuvendit për Edi Ramën duke e quajtur Skënderbe, ndërsa Spiropali tha se Skënderbe e keni bërë ju. Gjithashtu Spiropali u pyet edhe për deklaratat e Ramës që i ka quajtur burrat çyrykë.
“Skënderbe e keni bërë ju. Nuk i ka thënë në asnjë moment shqiptarëve çyryk. Por ju nuk kuptoni metaforën politike.”-tha Spiropali.