Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë kërkon që procesi i zgjedhjes së kreut të Prokurorisë së Posaçme, nesër, të zhvillohet në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente.
Siç ka njoftuar dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, intervista me katër kandidatët që kanë shprehur interes për të qenë pasues të Altin Dumanit, do të zhvillohet më 11 Dhjetor. Më pas, do të zgjidhet dhe drejtuesi.
Të lidhura
None found
“Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente.
Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë.
Altin Dumani është zgjedhur në krye të SPAK më 18 dhjetor 2022 dhe është prokurori i dytë që ka drejtuar SPAK që nga themelimi i Strukturës së Posaçme, pas Arben Krajës. Mandati i kryeprokurorit është 3-vjeçar dhe pa të drejtë rikandidimi.
Elvin Gogaj, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho janë 4 prokurorët e SPAK që kanë dorëzuar aplikim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, si kandidat për postin e kreut të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
