Konflikti i armatosur mes Ukrainës dhe Rusisë ka hyrë në ditën e tij të 140-të duke lënë pas vetëm vdekje e shkatërrim. Megjithëse u konsiderua si një “operacion special” nga Rusia që do të zgjaste shumë pak, rezistenca ukrainase vijon të jetë e fortë dhe t’i shkaktojë dëme të mëdha ushtrisë pushtuese.
Një ndër çeshtjet që vazhdon të shqetësojë më shumë vendet në botë është bllokimi i grurit ukrainas. Ukraina ka akuzuar prej kohësh Rusinë se ka bllokuar eksportin e grurit duke shkaktuar uri në shumë vende të botës.
–Dërgesat e grurit përmes lumit Danub janë shtuar me rihapjen e kanalit Bystre. Numri i anijeve të huaja që arrijnë në portet e Ukrainës për të ndihmuar me eksportet e grurit është dyfishuar në 16 brenda 24 orëve të fundit, sipas zëvendësministrit të infrastrukturës së Ukrainës, Yuriy Vaskov.
Ndërkohë, delegacionet ushtarake nga Ukraina, Rusia dhe Turqia do të takohen me zyrtarë të OKB-së në Stamboll sot për të diskutuar një marrëveshje të mundshme për të rifilluar eksportet e sigurta të grurit të Ukrainës nga porti kryesor i Detit të Zi, Odesa, teksa kriza globale e ushqimit vijon të përkeqësohet.
-Numri i viktimave nga një sulm me raketa ruse në fundjavë në një bllok apartamentesh banimi në Chasiv Yar, në Ukrainën lindore, u rrit në të paktën 45 persona. Sulmi i së shtunës shkatërroi ndërtesën pesë-katëshe dhe dëmtoi disa të tjera në qytetin e rajonit Donetsk. Nëntë persona fatmirësisht janë nxjerrë të gjallë ndërsa operacioni i shpëtimit vazhdon.
-Rusia thuhet se ka bombarduar qytetin lindor të Bakhmut në rajonin e Donetsk gjatë natës në përgjigje të sulmit të Nova Kakhovka.
-Presidenti rus, Vladimir Putin, do të vizitojë Teheranin javën e ardhshme për të zhvilluar bisedime me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
-Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut (OHCHR) tha të martën se më shumë se 5,000 civilë janë vrarë në Ukrainë që kur Rusia pushtoi më 24 shkurt, duke shtuar se numri real ndoshta është shumë më i lartë.
-Bashkimi Europian deri më tani ka ngrirë 13.8 miliardë euro (11.7 miliardë £) asete të mbajtura nga oligarkët rusë, individë dhe subjekte të tjera të sanksionuara për luftën e Moskës kundër Ukrainës.
-Brazili po kërkon të blejë sa më shumë naftë që të mundet nga Rusia dhe marrëveshjet u mbyllën dje, sipas ministrit të jashtëm brazilian Carlos Franca, i cili nuk shtoi asnjë detaj më shumë.
Por çfarë ka ndodhur deri më tani?
Kremlini tha se kishte pritshmëri në lidhje me një marrëveshje të mundshme të BE-së për të lejuar Rusinë të tranzitonte disa mallra të sanksionuara në Kaliningrad, por se problemi nuk ishte zgjidhur.
Duke folur për gazetarët sot, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: Ende nuk ka një finalizim të kësaj situate. Ne presim një përparim, por nuk mund të themi se problemi është hequr”.
Të hënën, Lituania zgjeroi kufizimet në tregtinë përmes territorit të saj në enklavën e Kaliningradit të Rusisë, me mallra të sanksionuara duke përfshirë beton, dru, alkool dhe kimikate industriale me bazë alkooli.
Guvernatori i Kaliningradit, Anton Alikhanov, ka propozuar një ndalim total të lëvizjes së mallrave midis tre shteteve baltike dhe Rusisë, në përgjigje të asaj që autoritetet në enklavë e kanë quajtur “bllokadë”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka paralajmëruar Lituaninë dhe BE-në se mund të marrin”masa të ashpra kundër tyre nëse tranziti i mallrave nga dhe në Kaliningrad nuk rifillon.
Delegacioni rus ka mbërritur në Turqi që bisedime rreth eksportit të grurit të Ukrainës. Lajmin e bën të ditur agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti.
Agjencia citon burime diplomatike nga delegacioni.
Kujtojmë se të paktën 44 milionë njerëz që mbështeteshin tek Ukraina për t’u ushqyer po përballen tashmë me zinë e bukës dhe situata mund të ndryshojë vetëm nëse lufta merr fund. Bllokadat e porteve kryesore të Ukrainës në Detin e Zi kanë bërë që të ndalë furnizimi me drithë që më parë ushqente milionë persona. Nga uria rrezikohen tashmë vende nga Libia në Liberi dhe nga Siria në Sudanin e Jugut.
Në këtë front, të paktën, Putini duket se po fiton. Një numër në rritje liderësh, të cilëve u bashkua javët e fundit nga kreu i Bashkimit Afrikan Macky Sall, po i bëjnë presion Perëndimit për të hapur rrugën për një marrëveshje paqeje që shumica e analistëve thonë se do të favorizonte Rusinë, por që do të bënte që do të lejonte rikthimin e furnizimeve.
Rusia dhe Ukraina janë afër arritjes së një marrëveshjeje për eksportin e grurit nga territori i Ukrainës.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, shkruan la repubblica.
Gjithashtu sot në Stamboll pritet të mbahet një takim mes delegacioneve ushtarake të Turqisë, Rusisë, Ukrainës dhe delegacionit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar çështjen e eksportit të grurit.
Republika e vetëshpallur Popullore e Donetskut (DPR) ka hapur të martën ambasadën e saj në Rusi. Ambasadorja Olga Makeyeva dhe ministrja e Jashtme Natalia Nikonorova u thanë gazetarëve se diplomatët që përfaqësojnë DPR-në e mbështetur nga Rusia kanë marrë tashmë “një numër të madh” peticionesh nga qytetarët, me synimin për të adresuar problemet e tyre, sipas një raporti në të përditshmen ruse Kommersant, shkruan CNN.
Donetsk shtrihet në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, në të cilin janë zhvilluar bombardime të rënda gjatë muajve të fundit. Rusia njohu pavarësinë e DPR-së dhe Republikës Popullore të Luhanskut (LNR) – një ent tjetër separatist në Donbas më 21 shkurt, tre ditë përpara se Rusia të niste pushtimin e saj.
Hapja e ambasadës në Moskë të martën u zhvillua pa asnjë zyrtar të lartë të qeverisë ruse.“Ne nuk mund të festojmë këtu kur bashkatdhetarët tanë po vdesin,” tha Makeyeva.
Diplomatët gjithashtu planifikojnë të “sigurojnë informacion të vërtetë rreth ngjarjeve në DPR” dhe të rrisin numrin e vendeve që njohin pavarësinë e saj, raportoi Kommersant. Siria është i vetmi vend përveç Rusisë që ka njohur zyrtarisht DPR-në. Sipas Nikonorova, bisedimet për njohjen janë duke u zhvilluar gjithashtu edhe me Korenë e Veriut.
Një person është vrarë dhe të paktën pesë janë plagosur nga bombardimet ruse në rajonin e Kharkiv, sipas një deklaratë të guvernatorit rajonal Oleh Synyehubov, sipas The Guardian.
“Terrori i popullatës civile të rajonit të Kharkiv nga pushtuesit rusë vazhdon ende”, tha ai në mesazh në Telegram.
Synyehubov thekson se të plagosurit ndodhen në spital dhe po marrin të gjithë ndihmën e nevojshme, gjendja e tyre është e qëndrueshme dhe nuk ka rrezik për jetën. Ai pretendon se forcat ukrainase penguan një sulm me raketa në rajon.
Ai tha gjithashtu se “armiqësitë aktive vazhdojnë në territorin e rajonit”, dhe se një 55-vjeçar është vrarë.
Pretendimet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Gjermania do të ndalojë blerjen e qymyrit nga Rusia më 1 gusht dhe të naftës më 31 dhjetor, tha zëvendësministri i financave i vendit Gerg Kukis gjatë një konference për shtyp në Sidnei.
Por sfida e madhe përpara Berlinit do të jetë plotësimi i boshllëkut të madh që do të krijohet kur Bashkimi Evropian të ndalojë blerjen e gazit natyror nga Moska, sasia e të cilit arrin në 158 miliardë metra kub në vit, theksoi z. Kukis.
“Ne do të ndalojmë blerjen e qymyrit rus brenda disa javësh ,” i tha zyrtari gjerman gjatë Forumit të Energjisë në Sydney, të bashkëorganizuar nga qeveria australiane dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).
Gjermania po ndërton terminale për të importuar gaz natyror të lëngshëm (LNG) për të filluar plotësimin e boshllëkut të madh të furnizimit me gaz, por Gerg Kukis vuri në dukje se SHBA dhe Katari mund të shesin vetëm 30 miliardë metra kub në Evropë, një sasi e cila nuk është e mjaftueshme.
“Për këdo që e njeh historinë e gazsjellësit të Druzhbës, i cili tashmë ishte një mjet i perandorisë sovjetike për dominimin në Evropën Lindore”, e kupton se “të heqësh qafe këtë varësi nuk është një gjë e parëndësishme, por është diçka që ne do ta arrijmë në disa muaj”, shtoi zëvendësministri i Jashtëm gjerman.
Zëvendësministri i financave shpjegoi se Berlini po promovon kalimin e tij në zero emetimet e gazit serrë dhe legjislacionin për të përshpejtuar projektet për të prodhuar më shumë energji nga burimet e rinovueshme, por gazi është ende absolutisht i nevojshëm në Gjermani.
Forcat ruse ka të ngjarë të përqendrohen në marrjen e disa qyteteve të vogla të Donbasit gjatë javës së ardhshme, duke përfshirë Siversk dhe Dolyna pranë Slovyansk dhe Kramatorsk, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.
Zonat urbane të Slovyansk dhe Kramatorsk ka të ngjarë të mbeten objektivat kryesore për këtë fazë të operacionit, thuhet në raportin e inteligjencës britanike.
Rusia gjithashtu vazhdon të kërkojë të minojë legjitimitetin e shtetit ukrainas dhe të konsolidojë qeverisjen dhe kontrollin e saj administrativ mbi pjesët e okupuara të Ukrainës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.
Së fundmi kjo ka përfshirë një iniciativë për binjakëzimin e qyteteve dhe rajoneve ruse dhe ukrainase për të zhvilluar administrata pas konfliktit dhe një dekret për ta bërë më të lehtë për ukrainasit marrjen e nënshtetësisë ruse.
Ministrat e Brendshëm të BE janë të shqetësuar, se kontrabanda e armëve në Europë do të mbetet një problem për shumë vite, sepse lufta në Ukrainë ka sjellë një fluks të madh armësh ilegale në treg.
Ishte takimi i parë i ministrave të Brendshëm të BE nën presidencën çeke (11.07) ku në qendër ishte lufta në Ukrainë. Këtë herë nuk u fol vetëm për refugjatët, por edhe për kriminalitetin ndërkufitar, siç bëri të ditur C. “Temë kryesore ishte se si të mbrohemi kundër rreziqeve që shfaqen si pasojë e luftës në Ukrainë.”
Tregtia me armë “një rrezik shumë real”
Në krye të listës së rreziqeve potenciale qëndron kontrabanda me njerëz. Por jo më pak e rrezikshme është tregtia me armë, thotë drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së BE për Mbrojtjen e Kufijve, Frontex, Aija Kalnaja. “Mendoj se ky është një rrezik shumë real. Prandaj jemi prezent në kufirin mes Moldavisë dhe Ukrainës. Ne besojmë se aty mbërrijnë armët e kontrabanduara. Jemi të përgatitur për ta ndalur këtë.”
Kalnaja ishte e ftuar në takimin e ministrave të Brendshëm të BE si eksperte. Frontex ka ndërmarrë madje edhe aksionet e para kundër tregtisë me armë, konfirmon zëvendësdrejtori, Lars Gerdes. Ka informacione prej kohësh, se rrjete të mëparshme kontrabandistësh tani janë përqëndruar tek armët, ku përmes luftës në Ukrainë është krijuar një qasje gati pa asnjë kufizim. “Këto armë me shumë gjasë bien në duar kriminale. Këtë e kemi parë në konfliktet në Ballkan. Ende sot aty gjenden armë, që e kanë origjinën në konfliktet e Ballkanit.”
Por në Ukrainë kemi të bëjmë me shumë më tepër armë dhe më moderne. Tregtia ilegale me to do të mbesë si problem edhe për dekadat e ardhshme, thotë Gerdes. “Këto armë të kontrabanduara do të përdoren me gjasë për kriminalitetin e organizuar apo në rastin më të keq për të furnizuar terroistët.”/abcnews.al