Bastet sportive po rikthehen sërish me nismë të vetë kryeministrit Edi Rama që e konsideronte ‘haram’ në fund të vitit 2018. Duke cituar Kur’Anin, kreu i qeverisë, i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, ligjëroi aksionin e ndërmarrë për të mbyllur të gjitha lojërat e fatit.
“Nuk më ka tërhequr kurrë bixhozi. Nuk mund të hyj kurrë në një garë ku mes forcat e mia dhe sfidoj fatin. Është një sfidë që e ndalon Kur’Ani. E thotë bukur. Nuk e kam bërë për këtë arsye, por e thotë, mos e sfido fatin e të nesërmes”, thoshte Rama në atë kohë.
Por sot, katër vite më vonë, Rama ka organizuar një dëgjesë për të shqyrtuar mundësinë e rikthimit të basteve online. Kërkesat ishin të shumta nga përfaqësuesit e shoqatave, por për atë çfarë thotë libri i shenjtë i Kur’Anit nuk u fol.
Kujtojmë se Rama ka njoftuar ndryshimin që do bëhet në ligjin për lojërat e fatit më 31 dhjetori i vitit 2018, me ligjin e ri, i cili do të ndalonte së funksionuari të gjitha kazinotë elektronike si dhe do të mbyllen të gjitha pikat e basteve.
Edi Rama: “Sipas ligjit duke nisur nga 31 dhjetor i këtij viti do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si edhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, kuaj, qen apo çdo lloj skllavi të faunës shqiptare.
Tej argumenteve të biznesit, të të punësuarve, të të ardhurave të cilat për hir të vërtetës të cilat janë dyfishuar në raport me të shkuarën, 54 milionë dollarë nga rritja e formalitetit dhe nga taksat përmes formalizmit, pavarësisht se 40 kompani kishte në të shkuarën dhe mblidheshin gjysma e taksave, tani ka 20 dhe mblidhen dyfishi i taksave, në territorin e Republikës së Shqipërisë nga 1 janari nuk do të ngrihet asnjë qepen për baste.
Dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues nuk do ngihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë kilometër katror të Republikës së Shqipërisë.