SONDAZHI/ Kush i fiton zgjedhjet e 25 prillit

Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit janë në prag dhe politikanët shqiptarë tashmë prej javësh kanë ndezur motorrët për garën e  fortë që i pret.

Kryeministri Edi Rama me qeverinë e tij kërkon një mandat të tretë, ndërkohë që koalicioni i PD-së dhe opozita kërkon përmbysjen e kësaj qeverie dhe rotacion politik.

Zgjedhjet këtë vit do të jenë të pazakonta për shkak të efektit që pandemia ka shkaktuar në të gjithë botën.

Emigrantët nuk do munden të votojnë si asnjëherë më parë dhe as të infektuarit aktivë me COVID-19, të cilat sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë nuk janë pak.

Sondazhet lidhur me zgjedhjet, nuk kanë munguar këto kohë ndërkohë që rezultatet kanë qenë aq të ndryshme  sa kanë ngritur një mjegull edhe më të madhe në kokat e votuesve potencialë.

Por në sondazhin e zhvilluar brenda 24 orëve në Abcnews.al, me një pjesëmarrje rekord të qytetarëve,  rezultatet kanë treguar se përballja mes PD-së dhe PS-së kryesohet nga Partia Socialiste me 39.34% ndërsa ndiqet me një diferencë shumë të vogël nga koalicioni i PD-së me 38.26%.

LSI në sondazh rezulton me 12.36% të votave ndërsa pas i vjen Partia Socialdemokrate me 2.99%.

Ndërkohë Partia Bindja Demokratike e Astrit Patozit ka marrë 2.04% të votave. /albeu.com/

Rezultati i sondazhit për zgjedhjet e 25 prillit


Shtuar 30.03.2021 13:23