Plot 38 gëzhoja automatiku janë sekuestruar në një distancë rrugore prej 150 metra, në ngjarjen ku mbetën të vrarë Hamza Lici, Arlind Bushati, Flutura Basha dhe Bashkim Basha.
Gazetari Elton Qyno, raporton se 38 plumbat e lëshuara nga dy gryka automatiku, nuk i kanë dhënë asnjë mundësi reagimi Hamza Licit dhe Arlind Bushatit, të cilët edhe pse ishin të armatosur me pistoleta, s’kanë pasur mundësi të kundërpërgjigjen ndaj personave që qëllonin me dy automatikë nga automjeti tip “Range-Rover”.
Pas kësaj ngjarje, situata në Shkodër vijon të jetë e rëndë, për shkak se 3 ditë pas masakrës policia, nuk ka asnjë person të identifikuar dhe arrestuar.
Paraprakisht për këtë atentat të mirëorganizuar, policia Shkodër ka ngritur dyshimet e forta se skuadra e vrasësve në Dobraç, përbëhej nga 6 persona.
Tre prej tyre kanë marrë pjesë direkt në goditjen me armë, të cilët janë shoferi i “Range-Roverit” dhe dy gjuajtësit me kallashnikov.
Ndërsa dy persona të tjerë, besohet se kanë pasur rolin e gjurmimit dhe dhënies së informacionit për lëvizjet e makinës ku udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Kurse një peron i 6-të ka pasur rolin e pritësit të atentatorëve në zonën e Grudës në Shkodër, aty ku është djegur dhe makina së bashku me armët e krimit.
Me një makinë të dytë autorët janë larguar në drejtim ende të paditur nga Policia e Shtetit. Një nga anëtarët e grupit hetimor tha se:
“…edhe gjatë kontrollit në banesat e anëtarëve të fisit Bajri në Dobraç, nuk u gjend asnjë send i paligjshëm. Shtëpitë e kontrolluara ishin të gjitha të pastra. Kjo për shkak se policia nuk përdori taktikën e befasisë së menjëhershme për të ushtruar kontrolle, por RENEA hyri për kontroll dy orë me vonesë pasi kishte ndodhur ngjarja e rëndë. Për shkak të kësaj vonese, disa prej anëtarëve të grupit Bajri në Dobraç, ka mundësi ti kenë pastruar shtëpitë e tyre…” – tha për “Ora News” një nga anëtarët e grupit hetimor.
Zona është e pa mbuluar në kamera, ndaj ende nuk është mësuar se prej nga ka ardhur automjeti tip “Range-Rover”, dhe nuk dihet me saktësi dinamika e plotë e krimit.
Ndërkohë nga ana tjetër, për këtë ngjarje të rëndë policia dhe prokuroria e Shkodrës ende nuk kanë marë në pyetje asnjë nga anëtarët e fisit Lici dhe Bushati.
Kjo pasi të dyja palët kanë qenë të tronditura për humbjen e djemve të tyre në këtë ngjarje dhe pyetja në polici ka qenë e pamundur. Pritet që policia të intervistojë ata në një kohë të mëvonshme.
Ngjarja vijon të jetë pa autor. Ndërsa për këtë atentat mafioz në Shkodër, SPAK nuk ka shfaqur asnjë interes për të marrë në dorë hetimin.